Pas dy deklarimeve të forta amerikane në mbështetje të rezultatit të zgjedhjeve në vend, kanë pasuar të tjera reagime ndërkombëtare me të njëjtin qëllim.

Ambasadori gjerman në Tiranë Peter Zingraf u shpreh: “Dita e zgjedhjeve të dielën e shkuar rrodhi e qetë dhe thuajse kudo e paqtë. Fakti, që një numër i madh qytetaresh dhe qytetarësh shqiptarë dhanë votën e tyre, bën të qartë dëshirën për të bashkëvendosur. Kodi i ri zgjedhor e kaloi me sukses testin e tij të parë.

Unë shpresoj që të gjithë aktorët politikë të kenë edhe në të ardhmen një qasje konstruktive dhe bashkëpunuese ndaj njëri-tjetrit. Krahas kësaj presim që ata të njohin rezultatin e zgjedhjeve”.

Ambasadori italian Fabrizio Bucci: “Përgëzimet e mia Kryeministrit Edi Rama dhe PS për rezultatin zgjedhor. Komplimente Lulzim Bashës dhe kryetarëve të partive të tjera të opozitës që i dhanë jetë një fushate zgjedhore të ngjeshur e të vrullshme. Për të gjitha forcat politike tashmë është momenti për të punuar së bashku në interes të të gjithë shtetasve shqiptarë, duke respektuar rezultatin zgjedhor. Një opozitë e pjekur dhe e përgjegjshme është thelbësore në çdo demokraci. Mbështetje maksimale Shqipërisë dhe institucioneve të saj për një stinë të re ku ndër përparësitë e saj të jetë çelja e negociatave të anëtarësimit në BE”.

Ambasadori britanik Duncan Norman: Urime kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste për rezultatin në zgjedhjet parlamentare, si dhe qytetarëve për pjesëmarrjen e tyre, pavarësisht kufizimeve të COVID-19. Theksojmë gjithashtu fushatën e bazuar në programe që zhvilloi Partia Demokratike si dhe rritjen e shënuar në rezultat”.