Donald Rumsfeld, ish-Sekretar i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare. Lajmin e dha familja e tij, që nuk sqaroi shkaqet e vdekjes.

“Me trishtim të thellë njoftojmë se Donald Rumsfeld, burrë shteti, bashkëshort, prind, gjysh dhe stërgjysh i devotshëm, ka ndërruar jetë. Historia ta kujtojë për arritjet e jashtëzakonshme në 6 dekada shërbimi publik, por për ata që e kanë njohur më nga afër, do ta kujtojmë për dashurinë e tij për bashkëshorten Joyce, familjen dhe miqtë e tij”, lexohet në deklaratën e familjes së Donald Rumsfeld.

Rumsfeld ka qenë Sekretari i Mbrojtjes i dytë më i ri që ka ushtruar këtë funksion.

Pasi u pa si hero në orët pas sulmit terrorist të 11 Shtatorit në Pentagon, ai u largua nga detyra për shkak të rolit të tij në Luftën e Irakut.

Në 17 qershor 2013, Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Bujar Nishani e ka dekoruar Donald Rumsfeld me Medaljen e Flamurit, në shenjë “mirënjohjeje dhe vlerësimi për kontributin e jashtëzakonshëm dhe mbështetjen e fuqishme për reformimin, fuqizimin dhe modernizimin e Forcave Ushtarake të Shqipërisë dhe në procesin e pranimit të Shqipërisë në NATO”.