Ka ndërruar jetë në moshën 99-vjeçare Princi Filip, bashkëshorti i Mbretëreshës Elisabeth.

Duka i Edinburgut humbi jetën në Kështjellën e Windsor-it si pasojë e një sëmundje të rëndë, 28 ditë pasi iu nënshtrua një operacioni në zemër.

Pallati Buckingham në deklaratë për shtyp për këtë humbje shkruan: “Me dhimbje të thellë madhëria e saj Mbretëresha njofton vdekjen e burrit të saj të dashur, Lartmadhërisë së Tij Mbretërore Princit Philip, Dukës së Edinburgut. Lartësia e Tij vdiq paqësisht këtë mëngjes në Kështjellën Windsor”.

Por kush ishte Princi Filip dhe si ka nisur historia e dashurisë së Dukës 99-vjeçar me Mbretëreshën e Anglisë?

Duka i Edinburgut la një karrierë premtuese në Marinën Mbretërore për të qëndruar pranë mbretëreshës dhe për t’u bërë “shkëmbi” i saj, megjithatë në jetën e tyre private ai ishte gjithmonë “kryefamiljari” i familjes.

Edhe pse i njohur për gabimet e tij në paraqitjet publike, ai konsiderohet të ketë kontribuar në evolucionin e monarkisë dhe modernizuar “Firmën”, siç shtypi britanik shpesh e quan familjen mbretërore.

Vitet e fëmijërisë larg prindërve të tij dhe njohja e parë me Elizabetën

Princi Philip u lind në ishullin e Korfuzit, në 10 qershor 2021. Babai i tij ishte Princi Andrew i Danimarkës, djali i vogël i Mbretit Jrogo I i Helenëve. Mamaja e tij, Princesha Alice, ishte vajza e Lordit Louis Mountbatten dhe stërmbesa e Mbretëreshës Victoria.

Pas një grusht shteti në vitin 1922, babai i tij u urdhërua të largohej nga Greqia nga një gjykatë revolucionare.

Në dhjetor të vitit 1922, George IV, gjyshi i Mbretëreshës Elizabeth, urdhëroi anijen “Calypso” të Marinës Mbretërore Britanike që të merrte familjen nga ishulli, në atë kohë Filip ishte vetëm 18 muajsh.  Fëmijëria e princit të ri u karakterizua nga paqëndrueshmëria, ndërsa kalonte kohë me të afërmit në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Prindërit e tij ishin divorcuar dhe ai i shihte rrallë, veçanërisht nënën e tij, e cila ishte mbyllur në një spital pasi u diagnostikua se vuante nga sëmundje të shëndetit mendor. Filip u shkollua për një vit në Gjermani dhe më pas u rikthye në Britani të Madhe, duke iu bashkuar Marinës Mbretërore për të zhvilluar takimin e parë me bashkëshorten e tij të ardhshme verën e vitit 1939. Princesha e atëhershme, vetëm 13 vjeç u mahnit kur e pa, ndërsa në 1947, dy vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, çifti u martua.

Në vitin 1948 lindi fëmija i parë i çiftit, Princi Charles, i ndjekur nga Princesha Anna në 1952. Sidoqoftë, jeta e tyre e qetë ndryshoi në mënyrë drastike me vdekjen e mbretit më 6 shkurt 1952. Princesha Elizabeth u kurorëzua mbretëreshë dhe Duka i Edinburgut hoqi dorë nga një karrierë premtuese në Marinë për ta mbështetur atë. Një rol i ri e priste atë, udhëtimet dhe paraqitjet zyrtare me monarken jashtë vendit dhe brenda kufijve. Në vitin 1960 çiftit iu shtua edhe një fëmijë tjetër, Princi Andrew, Duka i Jorkut, ndërsa në 1964 lindi Princi Edward, Earl of Wessex.

Duke lënë mënjanë ambiciet e tij të karrierës, ai provoi ndjenjën e tij të fortë të detyrës duke i shërbyer vendit përmes qindra angazhimeve çdo vit, duke refuzuar të ndalonte punën edhe në të 90-at.