(Kryepeshkopi i Kretës gjunjëzohet para varrit të Niko Kazanxakit…)

U desh të kalonin 65 vjet që të korrigjohej një padrejtësi e madhe historike. Nuk e di, nëse u rehatuan tek varri i tij i thjeshtë eshtrat e krijuesit të madh kretas me rrezatim botëror, Nikos Kazanxakis?

Besoj mirë do jetë ndjerë, ai vetë nuk provokoi me dëshirë asnjë armiqësi, biles të tillë që të kapërcente 3 dekada. Dhe me kë, pale?

Me shërbyesen e Zotit, fenë zyrtare, predikimi i parë i të cilës duhej të ishte porosia e Krishtit: “Dashuroni edhe armiqtë tuaj!”

Kazanxakis nuk ishte armik i askujt, aq më shumë i bashkëpatriotëve të tij. Thjesht ishte dashnor i marrë i lirisë dhe këngëtar i zjarrtë i saj. Ishte mbrojtës i paepur i së drejtës, kudo në botë. Ishte ajo që themi me plot gojën “Njeri i lirë”. Nuk ishte e rastësishme as propagandistike dëshira e fundme, të shkruhej mbi varrin e tij, që e dëshironte edhe atë të thjeshtë e njerëzor, siç ishte vetë: “Δεν ελπίζω τίποτα, δε φοβούμαι τίποτα, είμαι λέφτερος…” (Nuk shpresoj asgjë, nuk kam frikë asgjë, jam i lirë…)

65 vjet më vonë, dje, në meshën përkujtimore që organizoi seksioni helen i “Shoqatës Ndërkombëtare të Miqve të Kazanxakis” në Martinego të Kretës mori pjesë edhe një “pelegrinist” i papritur, që la pa gojë me veprimin që bëri gjithë botën letrare dhe shoqërore. Ishte kryepeshkopi kretan Evgenios, i cili theu për herë të parë një traditë 65 vjeçare, injorimin edhe pas vdekjes, sikur të mos mjaftonte sa ishte gjallë, të krijuesit më të madh të ishullit historik dhe të krejt Greqisë, me rrezatim ndoshta më të fuqishëm se biri tjetër kretan, Dominikos Teodokopulos (El Greko).

Kleriku i lartë  u gjunjëzua përpara varrit të Kazanxakis. Gjithë Greqia mbeti pa frymë. Ishte si të kërkonte ndjesën që të gjithë dëshironin, falje për mëkatin e madh: armiqësinë pa shkak të Klerit ndaj Shkrimtarit që mahniti Botën, por që nuk arriti të sillte Nobelin në Kretë, pikërisht se nuk e dëshironte këtë lavdi Kisha Greke. Ishte  gjithashtu edhe një rehabilitim i vonuar.

RETROSPKETIVE: Vdekja e Kazanxakis

Pas udhëtimit të gjatë në Kinë, Kazanxakis u kthye me një suvenir jo të zakonshëm: shëndeti i tij mori tëposhtën e pakthyeshme. Humbi betejën për jetën më 26 tetor 1957 në Frainburg të Gjermanisë. I dëbuari i madh i Dheut të tij nënshkroi me këtë akt përndjekjet e një jete. Ishte e shkruar të vdiste në aksil. Qe 74 vjeç dhe bota e kishte pranuar tek Olimpi i letrave të saj. Fakti i çuditshëm që nuk e kishte marrë Nobelin gjer atëhere ishte një paradoks: vetë grekët zyrtarë dhe bekuesit e tyre shpirtërorë, klerikët, nuk e dëshironin! Përmbysën botën që Nobeli mos të udhëtonte gjer në Kretë.

Trupi i tij i pajetë zbarkoi tek aerodromi ushtarak i Elefsinës. Qe 3 nëntori i 57-ës. E shoqja, Eleni Kazanxaki, i kërkoi Kishës Greke të ekspozohej trupi i shkrimtarit tek Metropolia e Athinës për nderim publik, siç ishte më e natyrshmja. Por kryepeshkopi i atëhershëm, Teoklitos, refuzoi kategorikisht. Kishte kohë që kryepeshkopata greke kishte nisur luftën dhe përndjekjen e gjithanshme ndaj Niko Kazanxakit. Ishte armiku numër një i saj. Shkaku? Për disa faqe tek “Kapedan Mihali” (“Liri a vdekje” në shqip) dhe për gjithë konceptin e veprës “Tundimi i fundit”.

Të dëshpëruar, bashkëshortja Eleni dhe miku i tij Pandelis Prevalakis morën në dorëzin në Elefsina trupin e shkrimtarit dhe e nxorën për nderim publik tek dhoma nekrore e Varrezave të Para të Athinës, si gjithë qytetarët e tjerë. U përmbyt nga lumi i pafund i njerëzve, por asnjë klerik nuk u duk atje. Sikur nuk ishte shtëpi e zotit… dhe ai të ishte… djalli vetë (!)

E gjithë bota demokratike greke u ngrit në këmbë. Por ra mbi një mur të pa kapërcyeshëm. Kleri ishte i patundshëm tek armiqësia e tij ndaj Kazanxakis. Shkuan dëm edhe përpjekjet e udhëheqësit të Lëvizjes së Qendrës, legjendarit demokrat Papndreu (Plaku) dhe të këshilltari qeveritar Th. Speranxas, figura të njohura dhe me autoritet në botën politike greke, të dy miq të shkrimtarit. U përpoqën të paktën të qëndronte trupi i tij në një kishë greke, gjersa të merrte udhën për në vendlindjen Kretë. Asgjë. Edhe i vdekur, Kazanxakis ishte i padëshirueshëm.

Të nesërmen kortezhi i përmotshëm u nis për në Kretë. Në Iraklio, kryqendrën e ishullit, e priti një det njerëzish. U ekspozua për nderim publik tek Metropolia e qytetit. Prezent kryepeshkopi i Kretës dhe 17 klerikë të lartë. Në Kretë ekzistonin dhe ekzistojnë ligje të tjera, të pavaruara nga metropoli i Athinës zyrtare.

Varrimi u bë në Martinego, mbi Muret Veneciane. Pikërisht në këtë vend, para varrit të Nikos Kazanxakis, me porosi zyrtare nga kryepeshkopi i Athinës dhe gjithë Greqisë, Jeronimo, u gjunjëzua dje, pas 65 vjetësh, kryepeshkopi i Kretës, Evgenios. Një ndjesë të vonuar për Njeriun dhe Shkrimtarin e Madh të Lirisë – më e pakta që mund të bënte.

GRIGOR JOVANI

Athinë, më 27.10.2022