Nga Ilir Mborja

Më 7 Qershor të këtij viti, mbushen 11 vjet kur u nda nga jeta Ndoc Gjetja. Poet nga më të shquarit e letërsisë sonë bashkëkohore. Njeri i përsosur… Duke iu përgjigjur ftesës së kahershme të mikut tim dhe të Ndoc Gjetjes, shkrimtarit dhe publicistit të mirënjohur Kujtim Dashi, po përpiqem të sjell një homazh ashtu si e mendoj, në formë “qortimi” për… 

*** 

Kërkova në Wikipedia dhe gjeta këto rreshta: 

 “Ndoc Gjetja lindi më 9 Mars 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës. Kur ishte shtatë vjeç, prindërit e tij u vendosën me banim në Lezhë. Në vitin 1970, filloi të botojë poezitë e para. Merret vetëm me poezi. Është autor i disa vëllimeve poetike, njëri prej poeteve me më zë të poezisë së sotme shqipe. Mjaft studiues e kritikë bashkohen me vlerësimin e lartë se, Ndoc Gjetja me talentin e tij mbetet emblemë e njeriut, i cili ne çdo poezi “di t’i bjerë bukur tastierës së humanizmit”…  Në poezitë e tij lëviz jeta, ajri i pastër dhe dritëhijet e kohës. Ndoc Gjetja ka vetëm një zot që i falet njeriu. Shtegtoi drejt Tiranës në kohën kur krijimtaria e tij u bë e njohur, në vitin 1971 kishte botuar vëllimin e parë poetik “Rrezatim”, pastaj erdhën gjashtë të tjerë: “Shqiponja rreh krahët” (1975), “Qëndresa” (1977), “E përditshme” (1982), “Çaste” (1984), “Poezi” (1987), “Kthimet” (1991) dhe “Dhiata ime” (1998). Bashkëkohës me poetët Rudolf Marku, Preç Zogaj… etj., Ndoc Gjetjen e kanë prezantuar dikur si poet i të ashtuquajturit “grup i poetëve lezhjanë”, paçka se kontributi i tij në kulturë është edhe më konkret dhe i prekshëm. Mjafton të kujtojmë revistën e famshme për kohën “Skena dhe ekrani” dhe ke thënë Ndoc Gjetja. Një revistë të atyre standardeve nuk e kemi as sot… Ndoc Gjetja do të mbyllte sytë përgjithmonë më 7 Qershor 2010, për t’u dhënë përjetësitë e për të mbetur i pavdekshëm. Mbi varrin qe ndryn brenda trupin e njeriut të madh janë shkruar këto vargje, shkëputur nga poezia “Epitaf për veten”, shkruar që në gjallje me dorën e tij: 

Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja, i cili pati ardhur gabimisht në botë

Nga vetja e tepruar nxirrte vjersha. Dhe gjithë njerëzit i quante shokë...” 

***  

Dikujt mund t’i shkojë mendja se qortimi im për Ndoc Gjetjen qëndron në atë që ai ka thënë në mbyllje të “Epitafit për veten” kur:  “…gjithë njerëzit i quante shokë“… Por jo. Për mua, Krishti, apo “Shën Budallait”, siç e quan veten në një poezi të tij Ndoc Gjetja, ka gabuar kur është prezantuar dikur si poet i të ashtuquajturit “grup i poetëve lezhjanë”…   

Të kuptohemi: Nuk kam asgjë me grupimet, klubet apo “shkollat” që krijojnë shpesh artistët. Madje, më shumë se për njëfarë kulture të sindikalizmit që ato shfaqin, kam admirim për individualitet stilistike që gjallojnë brenda një shkolle (apo rryme ta quajmë) të konsoliduar shijesh, konceptesh, etj., që, gjithsesi, për mua, tregojnë njëfarë qytetërimi apo emancipimi… As me “grupin e poetëve lezhjanë” dhe emrat që përmenden në Wikipedia nuk kam absolutisht asgjë. Pavarësisht se nuk më ndërmendet asnjë varg prej poezive të të sipërcituarve, ata mund të jenë poetë të shquar. Edhe pse nuk i njoh unë, poezitë e tyre dhe të shumëkujt mund të ekzistojnë, ashtu siç ekziston një gjuhë e huaj (kinishtja, fjala vjen) që unë nuk e di…   

Por indinjatën e kam me disa të vetëquajtur “poetë” apo “shkrimtarë” që sot janë grupuar në bazë krahinash (veriorë kryesisht), përkatësish fetare (katolikë kryesisht) dhe sidomos me të ashtuquajturit krijues “antikomunistë”. Këta të fundit, “turq” e “kaurë”, gegë e toskë janë bërë bashkë në një grup në këtë rast. “Komunizmi” dhe “këlyshët e kuq” u rrezikojnë “veprën” e “artin e madh” që bëjnë. Lexues nuk kanë, por “libra” sa të duash…  

Këta, krijuesit e grupuar, jo vetëm janë krejt ndryshe, por asnjë pikë lidhjeje nuk kanë me shenjtorin Ndoc Gjetja. Ndryshe nga Ai, këta “poetë” apo “shkrimtarë” mediokër e përdorën (e përdhunuan) Poezinë si të ishte një prostitutë!!! Me vargjet e saj, duke mundur t’i botojnë nëpër periodikë të kohës, synuan fillimisht të kapnin Tiranën. Pastaj, kur ia dolën, para femrave mendjelehta të auditorëve që Tirana t’i ofron me bollëk, për të fshehur sadopak provincializmin e tyre që bënte “Muuu!” dhe për të bërë “interesantin” (sh)përdorën përsëri Poezinë. Duke përmbysur e shkapërdhyer sintaksën e morfologjinë e shqipes, krijuan “modernitetin” e këngëve të tyre që linte gojëhapur çdo trëndelinë qyteti. Mësuan çajin me konjak dhe, mes tymit të cigareve me filtër, naivitetin e injorancën e trashëguar e shisnin në kafene për “indiferentizëm”…  

Sot s’ka më studiues në këtë dynja ta ndajë ku fillon “antikonformizmi”, “moderniteti” dhe ku mbaron sensacioni fals e “antikomunizmi” i këtyre grupimeve të vargëzuesve – provincialëve të përjetshëm…

Prandaj them se, fenomeni Ndoc Gjetja, mu si Krishti vetë, nuk ka të bëjë me asnjë grupim të shpallur a të pa shpallur me ca nga kategoria e këtyre që përmenda më lart… Edhe raste konkrete të ilustruara mund të sillja sa të donit se, fatkeqësisht, sot ata janë të shumtë. Por, gjithsesi, mendoj se Panteoni i Poezisë Shqipe, ku Ndoc Gjetja ka zënë vendin e Tij, nuk është mirë të ndyhet me emrat e tyre. Pak kush si Ai bashkëjetoi gjithë jetën vetëm me gruan që e fejuan (e kryqëzuan) prindërit qysh në djep dhe Poezinë e ruajti të virgjër si një shenjtore…  Shenjtor ishte vetë, të tillë na la edhe Poezinë Ndoc Gjetja…  

Në mbyllje zgjodha t’ju përshëndes me këto vargje të mrekullueshme të “Shën Budallait”, siç e quan veten Ndoc Gjetja i pavdekshëm: 

ENCIKLIKË 

Sot befas qielli i kujtesës m’u ça më dysh 

dhe ndodhi para meje Zbulesa e Parë: 

një univers i pasosur me rrëzëllime miqësish 

të rroposura nga kataklizma e ndarjes. 

Përmes mjegullës dhjetëvjeçare të harresës 

tash s’e kam vështirë të shoh ca fytyra miqsh, 

që më patën pritur në oborr të Pilatit 

në natën e gozhdimit tim në kryq. 

O ish-shokë! O ish-miq! O të dashur ish-ër! 

Po ju thërras sa trembem nga zëri im i çjerrë. 

A e dëgjuat gjelin e profecisë pas mesit të natës 

kur këndoi për të tretën herë? 

E pra, profecia u bë: më humbët, ju humba, 

ju humba, atje, në fund të kodrës së Kalvarit. 

Vallë, a ju kujtohet ajo darka jonë e fundit 

kur ju pata larë këmbët me duart e mallit? 

Pas dyzet viteve, ju do të vini vëllezër 

të më përqafoni te Udha e Madhe e gjithë Mirësive, 

por nuk do të më gjeni dot, mua, Shën Budallain 

që ju pata dhënë dashuri të pakthyeshme. 

  ***