Manuel Neuer është portieri më i mirë i të gjitha kohërave, sipas CEO së Bayern Munich, Karl-Heinz Rummenigge. “Gardiani” veteran i Gjermanisë ka rizbuluar formën e tij më të mirë në sezonet e fundit, pas një beteje të vështirë me dëmtimet. Bayerni dukej se po planifikonte jetën përtej Neuer, kur nënshkroi me të riun Alexander Nubel nga Schalke, këtë vit, por ai nuk hoqi dorë kollaj. Sa i përket Rummenigge, ai është akoma më i mire në këtë moshë:

“Neuer është 34 vjeç dhe po bëhet gjithnjë e më i mirë. Ai është si një verë e kuqe, që forcohet çdo vit. Manuel parashikon pothuajse çdo goditje, nga do të vijë, dhe bën pritje të pabesueshme. Ne e kemi parë në dy javët e fundit në Bundesliga dhe në Champions.

Ai është portieri më i mirë në botë, mendoj se është edhe portieri më i mirë i të gjitha kohërave. Gjithmonë kemi pasur portierë të mirë në Gjermani, edhe te Bayerni, si Sepp Maier apo Oliver Kahn, por unë mendoj se Manuel Neuer e ka çuar portierin në një nivel të ri. Jemi vërtet të lumtur që ai po rreshtohet mes shtyllave për ne”.

Një tjetër lojtar i Bayernit, që ka shkuar në nivel tjetër gjatë sezonit të kaluar, është Robert Lewandowski. Polaku shënoi 55 gola në 47 paraqitje më 2019-2020. Ai ka 15 gola në 14 ndeshje këtë sezon, por u ‘’vodh’’ nga mosdhënia e “Topit të Artë” këtë vit, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Rummenigge u lehtësua që FIFA nuk e ka anuluar ceremoninë e “The Best”: “Së pari, mendoj se është mirë që FIFA po vazhdon me votimin e këtij viti. Nuk ishte e qartë nëse do të ndodhte. Fola me presidentin e FIFA-s për këtë dy herë, i thashë se e kemi këtë votim çdo vit dhe futbolli është luajtur këtë vit, ju nuk mund ta harroni atë.

Bundesliga u përfundua, ligat kryesore në Europë u vendosën të gjitha në fushë, Liga e Kampionëve u kompletua. Unë i thashë Infantinos: nëse për dhjetë vite thuhet…, më 2021 ai fitoi, më 2022 ai fitoi, por ka një boshllëk më 2020. Për mua që do të ishte një gabim, që ju akoma mund ta korrigjoni. Dhe jam i lumtur që FIFA po e organizon këtë çmim përsëri. Shpresoj që Robert të fitojë, sepse ka pasur një vit të mrekullueshëm. Personalisht, mendoj se Lewandowski është në formën e jetës së tij, pavarësisht nga fakti se tani është 32 vjeç”.