Me atë të së mërkurës, janë 5 dështimet europiane të trajnerit Antonio Konte. Mjeshtër në kampionat, – ka nisur ciklin fitues të Juventusit, ka fituar Premier Ligën me Çelsin dhe ka çuar Interin në vend të dytë pas 9 vitesh jashtë podit, – por Konte ka vuajtur gjithmonë në arenën ndërkombëtare. Vështirë të gjesh një shpjegim, edhe pse sezonet e fundit kanë treguar se futbolli i tij me intensitet nuk reziston më shumë se një orë.

Mjafton të përmenden përmbysjet e Barcelonës dhe Borusia Dortmundit sezonin e shkuar, pas një nisjeje shumë të mirë. Në Itali ndonjë rrëshkitje falet, në Europë jo, duhet më shumë. Edhe integralizmi i 3-5-2-shit nuk të ndihmon. Skuadrat e mëdha duhet të dinë të ndryshojnë “fytyrë” dhe garë. Në Europë thuajse gjithmonë fitohet me mbrojtjen me 4 dhe një lojtar më shumë mes mesfushës dhe sulmit.

Konte gjatë ndeshjes me Shakhtarin

Në 2012-ën Konte fitoi titullin me një skuadër “punëtore”, ndërsa Championsi i parë i tij si trajner i bardhezinjve përfundoi në çerekfinale, kundër Bajern Mynihut. Pasi kaloi Selltikun, (3-0 dhe 2-0) në 1/8-at, Juventusi i humbi 2-0 të dyja sfidat ndaj bavarezëve. Në Gjermani shënuan Alaba (një gabim i Bufonit) dhe Myler, kurse në Torino Manxhukiç – më pas bardhezi, – dhe Pixarro. Pas 18 ndeshjesh pa humbje, Juventusi u dominua totalisht nga Bajerni.

Më absurd ishte eliminimi në fazën e grupeve sezonin pasardhës. Në ndeshjen e fundit Juventusi u nxorr jashtë nga Gallatasaraji i Mançinit dhe Shneijderit. Të paaftë për t’i mundur turqit, bardhezinjve, në borën e Stambollit, u mjaftonte barazimi për të kaluar bashkë me Realin, por 5 minuta para fundit ishte pikërisht Shneijderi që përmbysi botën juventine. Një vetëvrasje.

Konte konteston gjykimin pas eliminimit në Turqi me Juventusin

Juventusi kaloi në Ligën e Europës, finalja e së cilës luhej në Torino, por nuk arriti deri tek ajo. I mjaftonte një gol në gjysmëfinalen e kthimit ndaj Benfikës, por përfundoi 0-0, si të mërkurën. Konte u largua në fund të sezonit, pasi fitoi titullin e tretë radhazi.

Pasi shkëlqeu si trajner i Italisë pa lojtarë klasi, por me shpirt gare, në 2016-ën ai mori drejtimin e Çelsit, që ishte jashtë kupave dhe gjithë energjitë i përqendroi në kampionat. Dhe me Konten ia doli, por në sezonin e dytë londinez skuadra ishte ndryshe, vaujti impenjimin e dyfishtë. Titullin e fitoi Mançester Siti i famshëm i 100 pikëve, “blutë” u renditën të pestët, 30 pikë prapa, ndërsa në Champions u eliminuan nga Barcelona në 1/8-at.

Ishte pa fat ndoshta, sepse ishte ende Barcelona e Mesit, Injiestës dhe Ksavit, që gjithsesi vuajti në “Stamford Bridge”, ku Uillian goditi dy herë shtyllën dhe pastaj shënoi, ndërsa pas gafës së Markos Alonso barazoi Mesi. Në kthim katalanasit fituan thellë 3-0.

Zhgënjimi i Interit pas eliminimit nga Championsi

Dhe pastaj Interi, me dy shorte jo të lehtë. Sezonin e kaluar zikaltrit u dorëzuan ndaj Realit Madridit dhe Borusia Dortmundit, duke humbur edhe 2 pikë në shtëpi ndaj Sllavias së Pragës. Gjermanët e mundën me përmbysje, nga 0-2 në 3-2. Këtë sezon, – në grupin më të çmendur të viteve të fundit, – kanë rënduar “dhuratat” e ndeshjeve të para.

Vidal dy herë ndaj Morusia Mënshegladbah, Lautaro që gaboi me portën e boshatisur në Kiev, Hakimi që i dha një gol Benzemasë në Madrid, Barela dhe sërish Vidal që “ndihmuan” Realin edhe në Milano. Interi u zgjua shumë vonë, ndërsa mallkimi i Kontes vazhdon. Tani ai ka vetëm një mënyrë për të fshirë “plagën” e radhës, të fitojë titullin në Serinë A.