Nga Vladimir Karaj – Birn

Fatima Ibrahimi, 31 vjeç, është me profesion financiere, por kohën e lirë e kalonte duke vrapuar rrugëve të Kabulit, në maratona të gjata apo gara të tjera të atletikës.

“Çdo javë kishim një garë,” thotë ajo, ndërsa tregon foto me kolegët në bazën e NATO-s ku ka punuar dhe ato të vrapimit nëpër male.

Një vit më parë, Fatima mori pjesë në një garë ndërkombëtare të atletikës në Iran, por ishte hera e parë dhe nuk arriti një rezultat të mirë.

“Tani të gjitha këto kanë marrë fund,” thotë ajo në një kafene në Tiranë, ku është strehuar së bashku me të fejuarin pasi arritën të largoheshin nga Afganistani.

Fatima shfleton imazhet e fotove në celular dhe aty shfaqen pamjet e kaosit në aeroportin e Kabulit si dhe foto të nënës dhe motrës të rrahura nga talebanët. Buzëqeshja në fytyrën e saj zhduket dhe lotët i rrjedhin në faqe, ndërsa tregon se talebanët e kishin penguar familjen e saj të hynte në aeroport dhe i kishin goditur të motrën me qytën e pushkës.

Motra, nëna dhe babai ndodhen ende në Kabul dhe ajo është e frikësuar për ta. I fejuari Aziz Koshan po ashtu e ka familjen në Afganistan. Me largimin e ushtrive të NATO-s mbrëmjen e së hënës, fati i të afërmve të tyre është në dorë të talebanëve.

Çifti është ndër të fundit që mundën të largoheshin, para se SHBA të dorëzonte aeroportin në duart e talebanëve. Organizata që i punësonte, i njoftoi 24 orë përpara dhe ata nxituan në aeroport, pasi më herët kishin groposur në oborr gjithçka që i lidhte me punën e tyre.

Organizatorët u thanë që të linin pas çdo gjë që mund t’i identifikonte, ndaj Fatima dhe Aziz mbërritën në Tiranë vetëm me një palë rroba trupi dhe pak pare xhepi.

Çifti është pjesë e 607 refugjatëve afganë që mbërritën në Shqipëri prej mëngjesit të 27 gushtit dhe ndër të fundit qytetarë afganë që u evakuuan përpara se amerikanët të largoheshin nga Kabuli. Ata janë vendosur në godinat 11-12 në Qytetin Studenti dhe po përpiqen të mësohen me mjedisin e ri.

Vrapimi i ndaluar

Fatima Ibrahimi, 31 vjeç thotë se e dashuronte vrapimin nëpër rrugët e Kabulit. Foto kortezi: Fatima Ibrahimi.

Fatima Ibrahimi është e dashuruar me vrapimin, një aktivitet normal në shumë vende të botës, por ende një tabu në Afganistan. Me rikthimin në pushtet të talebanëve, të famshëm për përdorimin e stadiumeve si vende për torturimin publik të grave, shanset e këtyre të fundit për të marrë pjesë në sport janë kthyer në zero.

Evakuimi i skuadrës kombëtare të futbollit të grave ishte një prej misioneve që tërhoqi më shumë vëmendje së fundmi. Mbërritja në Tokio e dy atletëve paraolimpikë nga Afganistani po ashtu ishte kryelajm, ndërsa ata u evakuuan në një mision sekret një javë më parë.

Fatima thotë se kishte shpresuar se do të qëndronte në Afganistan, ndonëse pasioni i saj nuk kishte qenë pa pasoja.

Ajo citohet në një raport të “afghanistan-analysts.org” të nëntorit 2019, ndërsa ankohet për njerëz që e ndiqnin me makinë dhe e kërcënonin ndërsa vraponte. “U ankova në polici, por oficeri më tha: “Nëse nuk do të bezdisesh qëndro në shtëpi,” citohet ajo në raport.

Fatima tregon se familja e saj kishte emigruar gjatë regjimit të parë të talebanëve dhe ishte kthyer në Afganistan në vitin 2002. Ndonëse nuk e ka njohur atë kohë, ajo thotë se e kuptoi ndryshimin ato pak ditë që qëndroi e mbyllur në shtëpi me sytë dhe veshët nga rruga.

“E pamë ndryshimin në media. Prezantueset gra u zhdukën nga ekrani dhe njerëzit filluan të visheshin ndryshe,” thotë ajo në një kafene në Tiranë.

Ajo dhe familja e saj ishin pjesë e qindra afganëve që u kthyen pas rrëzimit të talebanevë me shpresën se mund të ndërtonin vendin dhe ndryshonin të ardhmen e tij.

“U kthyem nga dashuria për vatan”, thotë Ibrahimi duke përdorur një fjalë perse, që përdoret  njësoj edhe në shqip.  Ajo thotë se familja e saj kishte qenë aktive në përpjekjet për të ndryshuar vendin.

Vëllezërit e saj punonin në media dhe ishin aktivistë, por tashmë dy prej tyre janë në Britani, ndërsa ajo në Tiranë.

Prindërit dhe një motër ndodhen ende në Kabul, pasi nuk ia dolën që të hynin në aeroport edhe pse kishin viza. Si shenjë të përpjekjes së tyre të dështuar, Fatima mban në celular foto të këmbëve të tyre të mavijosura.

 “Shkatërro çdo gjë!”

Fatima Ibrahimi dhe i fejuari i saj në Tiranë. Foto: Vladimir Karaj.

I fejuari i Fatimas, Aziz Koshan punonte si studiues për një organizatë që përpilonte plane dhe strategji për të ndihmuar qeverinë afgane dhe e dinte se gjërat po shkonin keq. Një një analizë të publikuar në vitin 2019 në Institutin Afgan për Studime Strategjike, ai kritikon ish-presidentin Ashraf Ghani se ishte i shkëputur prej mendimit të shumicës së afganëve, se po dështonte në luftën kundër talebanëve dhe megjithë milionat e shpenzuara, edhe me ngritjen e një ushtrie efektive.

Koshan thotë se kjo ishte arsyeja kryesore pse talebanët e patën aq të lehtë.

“Ghani dhe ministrat e qeverisë nuk i kishin familjet në Afganistan. Një pjesë e tyre nuk flisnin as gjuhën vendase, por anglisht. Ata ishin të shkëputur nga njerëzit,” thotë ai.

Megjithatë, shpejtësia e rrëzimit të qeverisë ishte edhe për atë e papritur.  “Gjithçka ndodhi në një pulitje qepallash”, thotë ai, dhe shton se askush nuk e kishte pritur rrëzimin aq të shpejtë.

Pasi talebanët e morën Kabulin, ai u mbyll në shtëpi dhe qëndroi në ankth se ata do të trokisnin në portën e tij. Ai mban në celular foton e tre talebanëve të armatosur, të cilët kontrollojnë një shkollë përballë shtëpisë së tij.

“I fotografova i fshehur pas perdes, me frikën se më pas do trokisnin te unë,” thotë ai.

Më vonë mes ankthit, Koshan mori një telefonatë: “Shkatërro çdo gjë dhe nisu për ne aeroport”. Ai hapi një gropë në dhe varrosi punën e tij të disa viteve dhe gjithçka tjetër që mund ta vendoste në rrezik.

Për të mos tërhequr vëmendjen, ai u vesh me rroba tradicionale dhe bashkë me Fatiman ia dolën të hyjnë në aeroport. Ata fjetën në kuti kartoni që i sajuan si shtrat dhe pritën fluturimin që i dërgoi fillimisht në Doha dhe më pas në Tiranë.

Në Tiranë, çifti kërkon të blejë rroba të reja. Azis thotë se e bezdisin njerëzit që i ngulin sytë ndërsa e shohin të veshur me kostum tradicional –për të cilin thotë se nuk e mbante veshur as në Afganistan.

Ai këmbëngul gjithashtu që të blejë libra, ndonëse me llogari të bllokuara në një bankë të Kabulit dhe me nevojën për të planifikuar çdo shpenzim.

“Vetëm me libra mund të qetësohem,” thotë ai.

Të shqetësuar për familjet, çifti thotë se rasti i tyre është ende në proces dhe nuk e dinë se çfarë do të ndodhë. Ata interesohen për planet që qeveria shqiptare ka për ta dhe kur mësojnë se mund të vendosen në një hotel buzë detit, Fatima bën shaka: “Ky do të jetë muaji ynë i mjaltit”.

Fatima Ibrahimi është vrapuese e maratonës së Afganistanit. Foto kortezi nga Fatima Ibrahimi.

Aziz Koshan gjatë pritjes në aeroportin e Kabulit. Foto kortezi nga Aziz Koshan.