Kryeministri Edi Rama ka publikuar 4 vendimet e para të Qeverisë së re, pas dekretimit nga presidenti Ilir Meta.

Vetë kryeministri ka publikuar dhe nismat e reja të qeverisë “Rama 3”, duke nisur nga kthimi i platformës së Bashkëqeverisjes në ligj të kujdesit për fëmijët, njësia speciale e kampionëve dhe krijimi i agjencisë së medias.

Postimi i plotë i Edi Ramës:

VENDIME TË QEVERISË SË RE:

-Projekt-Ligj për “Bashkëqeverisjen”, i cili përcakton mekanizma detyrues për shërbimet publike ndaj qytetarëve e sipërmarrjeve, si edhe sanksione financiare e administrative për zyrtarët që rezultojnë pengues të zgjidhjeve për qytetarët.

-Projekt-Ligj për “Fëmijët nën përkujdesjen e Republikës”, i cili përcakton dhënien deri në 18 vjeç të rrogës së prindit të rënë në krye të detyrës apo në një akt vetëmohimi në mbrojtje të jetës së të tjerëve. Kjo masë do të jetë retroaktive edhe për atë gjithë fëmijët e mitur të mjekëve, infermierëve apo personelit të spitaleve Covid, që kanë humbur jetës në krye të detyrës.

-Përfshirja në strukturat e Forcave Armatosura të Republikës së Shqipërisë, e dy kampioneve olimpike të Kosovës, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi. Ministria e Mbrojtjes do të krijojë Njësinë Speciale të Kampionëve, të cilët do të kontribuojnë në edukimin fizik e psikologjik të trupave dhe do kenë pagë e më tej pension të veçantë, si anëtarë nderi të ushtrisë shqiptare.

-Krijohet Agjencia për Mediat dhe Informimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.