Kur Van Gaal i besoi fanellën e rëndë të Bayern Munich dy të rinjve me perspektivë, vetëm 20-vjeçarë, analistët mendonin se mbrojtësi 190 centimetra, Holger Badstuber, do të ishte e ardhmja e ekipit.

Por ndërkohë që djaloshi tjetër, Thomas Mueller, ka shkruar një kapitull të rëndësishëm të historisë së ekipit bavarez dhe ende është protagonist, i pari luan në kategorinë e katërt gjermane, ku të paktën mund të “krenohet me cilësimin si amatori më i paguar në botë.

Një zbritje e pabesueshme për Holger Badstuber, që në moshën 31-vjeçare po luan me ekipin e dytë të Shtutgartit, pasi ka përfaqësuar 31 herë Gjermaninë, edhe në Botërorin e Afrikës së Jugut, pasi kishte prekur mundësinë e një tripletë në sezonin 2010, të pamundësuar nga disfata me Interin në Madrid, në finalen e Champions League.

Karriera e tij u shënua nga dëmtime të njëpasnjëshme, duke filluar nga viti 2012, kur ishte titullar i padiskutuar. Këputja e dyfishtë e ligamentit të kryqëzuar e la jashtë fushës një vit e gjysmë. Aftësitë e tij gjithsesi ishin të qarta, dhe trajneri Pep Guardiola, që drejtonte gjermanët, kishte besim të plotë në një rikthim të tij. Sa herë rikthehej me performanca të mira, mbrojtësi luftarak duhej të ndalonte për probleme të reja. Lamtumira me Bayern shënon edhe fillimin e rënies në karrierë. Gjashtë muaj te Shalke, më pas kalimi te Shtutgarti, me të cilin kishte filluar karrierën, 11 vjeç.

Një sezon i shkëlqyer, pas 6 vitesh, dhe iluzioni se mund të rikthehej edhe një herë në një nga mbrojtësit më të lakmuar në Europë. I ndjekur nga Manchester City i “mentorit” Guardiola, por edhe nga Lazio dhe ekipe të tjera prestigjioze, Badstuber zgjedh të mbetet në Shtutgart. Një tjetër moment i pafat, sepse sezoni 2018-2019 do të jetë tejet negativ, me ekipin që bie nga kategoria.

Fillojnë problemet me ekipin, që dëshiron ta shesë me çdo kusht, edhe falas, për të hequr rrogën e papërballueshme, 2.4 milionë euro në vit. Badstuber, me shumë gjasa, gjendet mirë në qytetin jugor gjerman, pranë Pyllit të Zi. Refuzon çdo destinacion, dhe preferon të luajë me ekipin e dytë, në ligën e katërt, duke shënuar edhe një rekord vështirë për t’u thyer nga një ekip i përbërë nga gjysmë amatorë. Aty është shndërruar në idhull, por sa larg janë kohët kur, për të, Bayern largonte Mats Hummels.