Ministri i Jashtëm, Nikos Dendias ka folur për çështjen e detit me Shqipërinë.

Në një intervistë për kanalin publik të Greqisë “ERT“, nga ambientet e Ministrisë së Jashtme, kreu i diplomacisë greke ka folur kryesisht për zhvillimet e diskutimeve me palën shqiptare në përcaktimin e zonave detare me Shqipërinë në vitin 2023.

Pjesë nga intervista:

Apostolos Maggiriadis: Një tjetër çështje e hapur është çështja e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe marrëveshja për detin. Ka një marrëveshje, për ta çuar mosmarrëveshjen në Hagë. Megjithatë, vitet e fundit nuk kemi pasur ndonjë përparim. Çfarë po ndodh?

Nikos Dendias: Pala shqiptare po përgatitet të nënshkruajë një dokument prokure, t’ia dorëzojë presidentit të vendit, me sa dimë, por kjo nuk është çështja jonë. Pas kësaj do i jepet mundësia grupit negociator ta diskutojë çështjen me ne.

Apostolos Maggiriadis: Mendoni se në vitin 2023 mund të kemi zhvillime në këtë fushë?

Nikos Dendias: Dhe sigurisht që mundemi. Nëse do të më duhej të specifikoja një kornizë kohore, po, do të thosha se brenda 23-ës pres të kemi zhvillime.

Çështja e hapur mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufizimin e zonave detare, mbetet një nga çështjet më të diskutuara jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Në Parlamentin grek, më 20 janar 2021 u miratua projektligji për zgjerimin e ujërave territorialë të vendit nga 6 në 12 milje në Detin Jon. Ky vendim u shoqërua me debate dhe reagime të shumta në Shqipëri për faktin se sa mund të ndikojë vendimi i Greqisë në zonën ekskluzive ekonomike dhe efekti i ishujve grekë në përcaktimin e zonave detare mes dy vendeve. Kështu që kjo çështje u vendos që të ndahej në Hagë.