Delegacioni i BE në Shqipëri në ditën e nisjes së fushatës zgjedhore në Shqipëri u bën thirrje të gjitha partive politike dhe kandidatëve t’i përqendrojnë debatet e tyre te programet përkatëse politike dhe reformat që synojnë të paraqesin për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve.

Në një deklaratë për mediat, delegacioni i BE bën thirrje që dialogu politik të jetë konstruktiv dhe gjithëpërfshirës “siç ilustrohet veçanërisht në konsensusin e gjerë ndërpartiak që çoi në marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik mbi reformën zgjedhore“.

Për BE-në “e njëjta frymë duhet të frymëzojë një fushatë elektorale që bazohet në respekt të ndërsjellë, dialog dhe vetëpërmbajtje, si dhe zhvillohet në një mënyrë paqësore, pa retorikë provokuese apo gjuhë urrejtjeje“.

Më tej në deklaratë shtohet se kanë besim se të gjitha institucionet përkatëse shqiptare dhe aktorët politikë do të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me vendimet e Komisionit qendror të Zgjedhjeve.

“Ne i inkurajojmë qytetarët e Shqipërisë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, duke respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19. Ne mirëpresim dhe mbështesim përpjekjet e organizatave shqiptare të shoqërisë civile për të vëzhguar fushatën zgjedhore dhe procesin e ditës së zgjedhjeve.

Komuniteti ndërkombëtar po e mbështet dhe po e monitoron në mënyrë aktive të gjithë procesin e përgatitjes dhe kryerjes së zgjedhjeve, para së gjithash përmes misionit të ODIHR-it. Po ashtu, Delegacioni i BE-së dhe ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së do të vizitojnë një numër të madh vendvotimesh ditën e zgjedhjeve“, vijon deklarata e delegacionit të BE.

Kjo deklaratë e delegacionit të Bashkimit Evropian vjen në ditën kur ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore në Shqipëri.