Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj kryetares së Gjykatës së Elbasanit, pas disa videove të postuara në rrjetin social “TikTok” nga Enkeleda Kapedani.

“Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u njoh me materialet filmike të shpërndara në media mbi magjistraten E.K, kryetare e Gjykatës Elbasan. Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates për rastin”, thuhet në njoftimin e ILD.

Në disa portale janë shpërndarë disa video, të cilat Enkeleda Kapedani i kishte publikuar në TikTok. Në video, ajo ka publikuar momente duke “sfiluar” në zyrë, ndërsa në disa të tjera duket teksa drejton makinën dhe ekspozon veshjet e saj.