Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaruan nga Berati se duke nisur nga dita e shtunë, ata që do të marrin vaksinën anti-Covid do të jenë efektivët e policisë dhe gazetarët e terrenit.

“Nesër siç tha ministrja fillojmë me efektivët e policisë. Do të bëjmë siç është plani i kombinuar edhe për gazetarët e terrenit dhe ndërkohë po bëjmë gati listat për stafet e shërbimeve hoteliere për sezonin, si dhe për të gjitha punonjëset dhe punonjësit e fabrikave material/porositës”.

Sa i përket vaksinës kineze Sinovac, Rama garantoi se ajo është super e suksesshme.

“Të mos bjerë askush viktimë e hienave dhe e kukuvajkave. Vaksina e ardhur nga Turqia e kompanisë kineze Sinovac, është një vaksinë e super suksesshme e cila faktikisht Turqinë e nxjerr përditë e më shpejt nga tuneli i pandemisë. Është vaksina që kanë preferuar vendet e pasura të Lindjes së Mesme dhe të gjitha kurorat mbretërore të asaj zone kanë marrë këtë vaksinë, e cila bëhet në shumë shtete dhe fakti që nuk ka hyrë në BE, nuk ka lidhje me eficencën e vaksinës, por ka lidhje me çështje të një natyre tjetër, që ne nuk na interesojnë dhe nuk na prekin, pasi ne na intereson të nxjerrim urgjent nga tuneli popullin shqiptar dhe të nxjerrim sa më shpejt nga gjithë kjo kohë e gjatë ankthi dhe pasigurie gjyshërit e gjyshet, ata me sëmundje kronike, grupet e riskut dhe të gjithë popullsinë”.