Të gjitha vendet e Bashkimit Evropian do të nisin sot vaksinimin masiv. Ashtu siç ishte parashikuar 27 Dhjetori e gjeti BE-në me vaksinat gati dhe të gjitha vendet anëtare tashmë kanë ngritur dhe të gjithë infrastrukturën për këtë proces shumë të rëndësishëm në luftën kundër COVID.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një deklaratë u shpreh se vaksina Pfizer-BioNTech u është dorëzuar gjitha vendeve anëtare.

“Sot, ne fillojmë të kthejmë faqen në një vit të vështirë. Vaksina e COVID19 është shpërndarë në të gjitha vendet e BE. Vaksinimi do të fillojë në të gjithë BE. Ditët e vaksinimit janë një moment prekës i unionit. Vaksinimi është rruga e duhur për të dalë nga pandemia”, është ky reagimi i Presidentes së KE.

Vaksina vjen në BE në një kohë kur shifrat e të vdekurve kanë kapërcyer 335,000 viktima. Po ashtu që nga nisja e pandemisë janë raportuar më shumë se 14 milionë të infektuar në të gjithë BE-në.

Bashkimi Evropian do të përdorë vaksinën e Pfizer-BioNTech e cila u aprovuar pak ditë më parë nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe Komisioni Evropian.