Ardhja e 7020 dozave të tjera nga Pfizer i ka hapur rrugë skenarit të qeverisë për të nisur vaksinimin edhe në qarqe të tjera të vendit. Këtë të martë nisi vaksinimi në Qarkun e Shkodrës.

Ky proces do të kryhet në Pallatin e Sportit dhe do të vazhdojë më pas në Shtëpinë e të Moshuarve.

I pari që bëri vaksinën ishte drejtori i spitalit rajonal të këtij qarku. Po gjatë ditës së sotme, vaksinimi do të vazhdojë edhe për bluzat e bardha nga spitali i Lezhës. Gjatë ditës është parashikuar që të nisë vaksinimi edhe për të moshuarit.

“Në orën 11 e 30 vijnë mjekët dhe infermierët e spitalit të Lezhës. Do të jemi edhe tek azili apo shtëpia e të moshuarve në Shkodër. Vaksinimin do ta intensifikojmë, pra do ta vazhdojmë sot me 150 vaksinat e para ndërkohë që në Tiranë vijojmë dhe do të rrisim ritmin me 300 vaksinime në ditë dhe më pas me 500 vaksinime në ditë. Do të hapim edhe qendrën në Vlorë, jemi gati”, tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Prezent në nisje të vaksinimit për Shkodrën ishte edhe kryeministri Edi Rama. Gjatë mbërritjes së tij ka pasur një prezencë të shtuar të policisë.

Rama pritet me protesta në Shkodër

Kryeministri Edi Rama është pritur me protesta në Shkodër, ku ka shkuar për të marrë pjesë në nisjen e procesit të vaksinimit. Një grup fermerësh nga zonat e përmbytura kërkojnë mbështetjen e qeverisë.

“Të gjitha detyrimet ndaj shtetit i paguaj, përse shteti nuk vjen me sjellë një njeri me parë dëmshpërblimin. TVSH e gjëra më kanë ardhur për 6 muaj, 8 milionë lekë, i do shteti. i kam paguar. I kam paguar të gjitha siguracionet, të gjitha gjërat. Shteti përse nuk më përgjigjet mua?”, thotë një fermer.

“Përmbytjet… kanë kaluar 40 ditë që ne si njësi dhe njësi të tjera si Dajçi, Oblika, Oboti, Velipoja janë të përmbytura. Flasim për njësinë administrative Bërdicë, ku 350 hektarë janë të përmbytura dhe nuk kemi parë asnjë ndihmë nga shteti jonë”, shton një tjetër.

Pas Shkodrës, pritet që të nisë procesi i vaksinimit edhe në Vlorë

Pas Shkodrës, pritet që të nisë procesi i vaksinimit edhe për qarkun e Vlorës. Sipas skenarit, radha do të vijë më vonë për Korçën e Fierin dhe paralelisht me vaksinimin e bluzave të bardha do të nisë edhe vaksinimi i më të moshuarve.

Deri më tani Shqipëria ka përdorur vaksinat antiCovid të Pfizer, megjithatë një natë më parë, kryeministri Edi Rama u shpreh se pritet që të nënshkruhet një marrëveshje me kompaninë AstraZeneca, e cila ka zhvilluar një vaksinë të sajën.