Nga Irena Beqiraj

A e keni menduar ndonjëherë Santën si një sipërmarrës? Edhe pse në prag Krishtlindjesh, Santa nuk viziton çdo vend në botë, pasi ka kultura që nuk besojnë te Santa. Nëse do të merrnim në konsideratë të gjitha vendet që Santa duhet të vizitojë në vigjilje të Krishtlindjeve, më 24 dhjetor, puna e tij padyshim është e vështirë , impenjative e lodhshme.
Për 25 orë atij i duhet të udhëtojë në 50 milionë kilometra katrorë, me gati 10,000 kilometra në orë për të vizituar 160 milionë fëmijë. Në çdo ndalesë, duhet të shpërndajë mesatarisht 20 ton dhurata dhe të riniset përsëri me shpejtësi. Shpejtësia e tij, mund të krijojë ngrohje masive aerodinamike edhe forcë të zërit 10G. Studiuesit jo vetëm kanë vlerësuar parametrat e detyrës titanike që Santa përmbush çdo Krishtlindje, por janë përpjekur të modelojnë edhe fitimet e një sipërmarrjeje të tillë. Sipas tyre, duke u mbështetur te të dhënat e vitit 2017, kjo sipërmarrje e cila përfshin mbledhjen e dëshirave të fëmijëve, prodhimin edhe shpërndarjen e lodrave, do të realizonte një fitimin vjetor poshtë pragut prej 421,926 dollarësh. Pra, Santa nuk do të futej tek 1% i njerëzve të pasur amerikanë.
David Ricardo (1772-1823), një mendimtar shumë i mençur ekonomik i shekullit të 19, personi i parë që artikuloi konceptin e avantazhit krahasues, do të kishte shpjeguar se Santa i ka të gjitha mundësitë për të prodhuar edhe shpërndarë lodrat me kosto më të ulët. Pra, Santa do të kishte avantazh konkurrues të padisktutueshëm, do të ishte biznesi më jetëgjatë në botë (që prej fillimit të shekullit të 19), por fitimet do të ishin të ulëta? Duket e gjitha si pa sens?
Në fakt jo. Ka një shpjegim të thjeshtë për suksesin e tij, i cili qëndron pikërisht tek matësit e tij.
“Santa” është i vetmi “brand” (markë) që ka qenë dhe ka mbetur i rëndësishëm edhe i pazëvendësueshëm, gjatë shekujve. Kjo sepse ai jo vetëm i bën “konsumatorët“ e tij, fëmijët, të lumtur, por i frymëzon ata të jenë njerëz më të mirë. Fëmijëve nëse do t’u duhet të përdorin imagjinatën e tyre për të qenë krijues, për të zgjidhur problemet që i shqetësojnë, duhet patjetër të besojnë diku dhe Santa e ka përmbushur më së miri këtë kërkesë në shekuj. Për më tepër, këtë “furnizues lumturie” edhe kohët më të trazuara ekonomike nuk kanë mundur ta ndalin – madje as Depresioni i Madh i viteve 1930. Ndërsa buxhetet në kohë të caktuara mund të jenë zvogëluar edhe fëmijët mund të mos kenë marrë aq shumë dhurata sa kanë dëshiruar, Santa ka qenë në gjendje t’u ofrojë atyre të paktën një dhuratë çdo mëngjes Krishtlindjeje. Ai përveçse është një tregimtar i shkëlqyer dhe miku i të gjithëve, drejton komunitete të tëra të cilat punojnë sëbashku për të krijuar vlera. Ai është mjeshtri i shndërrimit të çdo të dhëne apo njohurie në vëmendje të personalizuar, duke krijuar kështu një markë unike dashurie.

Me këto rreshta të fundit për vitin 2020, u uroj Krishtlindje të gëzuara të gjithë miqve dhe lexuesve e mi. Shpresoj gjithashtu, që gjatë 2021, në sipërmarrjen tonë të përditëshme, pavarësisht çfarë do të jemi në gjendje të sigurojmë financiarisht, pavarësisht kohëve të vështira covidiane, të mundemi të krijojmë markën tonë modeste të dashurisë.