Gara për arritjen e një vaksine kundër pandemisë së koronavirusit ka hyrë në fazën e saj më të ethshme. Pas deklaratës së Pfizer, një tjetër kompani duket se ka gati një vaksinë kundër virusit vdekjeprurës.

Kompania amerikane Moderna njoftoi të hënën se vaksina e saj eksperimentale është 94.5% efektive për të parandaluar Covid-19 pas të dhënave të marra nga testimet klinike që po kryen në shkallë të gjerë.

Moderna tha se është “një ditë e madhe” dhe se do të kërkojë autorizimin për përdorimin e saj brenda pak javësh.

Moderna është kompania e dytë pas Pfizer që deklaron të dhëna inkurajuese përsa i përket vaksinës antiCovid.

Tashmë SHBA mund të kenë dy vaksina të autorizuar për përdorim emergjent në dhjetor dhe rreth 60 milionë doza deri në fund të vitit.

Vitin e ardhshëm qeveria amerikane mund të ketë akses deri në 1 miliard doza nga dy krijuesit e vaksinave, më shumë seç i duhen vendit me 330 milionë banorë.

Të dyja këto vaksina kanë përdorur një teknologji të re të njohur si RNA dhe përfaqësojnë një armë të re në luftën kundër pandemisë së koronavirusit që ka infektuar mbi 54 milionë persona në të gjithë botën dhe iu ka marrë jetën 1.3 milionë prej tyre.