Kompania amerikane Pfizer (Pfajzer) dhe partneri i saj gjerman BioNTech (BajoEnTek)  deklaruan të hënën se vaksina e tyre eksperimentale kundër COVID-19 është më shumë se 90 % efektive në parandalimin e virusit që ka vrarë mbi 1.2 milionë njerëz dhe ka gjunjëzuar ekonominë botërore.

Kompanitë thanë se do të kërkojnë autorizimin për ta përdorur vaksinën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë këtij muaji. Nëse autorizohet, numri i dozave të vaksinës fillimisht do të jetë i kufizuar.

“Sot është një ditë e shkëlqyer për shkencën dhe njerëzimin”, tha Albert Bourla, kryetari dhe shefi ekzekutiv i Pfizer, në një deklaratë.

“Sidomos sot, ndërsa të gjithë jemi në mes të një vale të dytë dhe shumë prej nesh në bllokim, ne vlerësojmë edhe më shumë se sa i rëndësishëm është ky moment i rëndësishëm në rrugën tonë drejt përfundimit të kësaj pandemie dhe që të gjithë të rimarrim një ndjenjë të normalitetit”, tha bashkëthemeluesi dhe shefi ekzekutiv i BioNTech Ugur Sahin.

Pfizer pret të kërkojë autorizimin e gjerë të përdorimit për njerëzit e moshës 16 deri 85 vjeç.

Për ta bërë këtë, kompania do të duhet mbledhë të dhënat e dy muajve për afro gjysmën e 44 mijë personave që iu nënshtruan testimeve. Vaksina u injektua në 2 faza, përgjatë 3 javësh.

Shkalla e efikasitetit të saj është shumë më e lartë se 50% e efikasitetit të kërkuar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave për një vaksinë të koronavirusit. Por shumë pyetje mbeten pa përgjigje, përfshirë atë se, për sa kohë do të jenë të mbrojtur personat që e marrin vaksinën.

Pfizer dhe BioNTech kanë një kontratë 1.95 miliardë dollarë me qeverinë amerikane për të shpërndarë 100 milion doza vaksinash duke filluar nga ky vit.

Ata gjithashtu kanë arritur marrëveshje furnizimi me Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Japoninë. Pfizer tha se pret të prodhojë deri në 1.3 miliardë doza të vaksinës në 2021.

Trump: Sa lajm i madh

Njoftimi i kompanive u përshëndet gjithashtu nga presidenti i SHBA Donald Trump në Twitter, i cili përshëndeti tubimin pasues të tregut të aksioneve dhe shkroi “Sa lajm i madh!”.

Aksionet në BioNTech dhe Pfizer u rritën pas publikimit të të dhënave premtuese.

Aksionet e Pfizer u rritën me 9%, ndërsa BioNTech pa një kërcim prej 16%.

Indeksi FTSE 100 i Londrës kërceu me 5 përqind të lajmeve.

Biden: Shenjë shprese

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden theksoi sot se shikonte një shenjë shprese në njoftimin e laboratoreve Pfizer dhe BioNTech të një vaksine efikase me 90% kundër COVID-19, duke shtuar se beteja ishte ende larg për ta fituar.

“Përshëndes gratë dhe burrat e talentuar që kanë kontribuar në realizimin e kësaj vaksine dhe që na kanë dhënë arsye për të shpresuar”, theksoi ai në një komunikatë.

“Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të kuptohet se do të kalojnë muaj përpara se beteja kundër Covid-19 të përfundojë”, shtoi ai.