Nga Ilir Mborja

Si në çdo 28 Nëntor, edhe këtë herë sytë e shqiptarëve kudo që ndodhen në botë ishin në Vlorë.

Te Sheshi i Flamurit, aty mes baltës, mbeturinave, hedhurinave, inerteve, tubave, tullave etj., sot, më 28 Nëntor 2021, shqiptarët panë të qëndronin në solemnitet Kryetari i Bashkisë z. Dritan Leli, Kryetaren e Kuvendit znj. Lindita Nikolla, Presidentin e Republikës z. Ilir Meta dhe Kryeministrin z. Edi Rama…

Që Sheshi i Flamurit po rikonstruktohet, e morëm vesh nga vizita që Kryeministri Rama bëri para dy javësh në Vlorë për të ndjekur pikërisht punimet që kryhen aty.

Mungesa e Kryetarit të Bashkisë z. Leli krah Kryeministrit atë ditë në Vlorë nuk na bëri dhe aq shumë përshtypje. Tashmë të gjithë e dimë, që, pas refuzimit që z.Leli i bëri ftesës së Kryeministrit për të lënë kryebashkiakun e Vlorës e të marrë mandat deputeti të PS-së mē 25 prill të këtij viti, komunikimi mes tyre është ndërprerë.

Që prej atëherë, për Edi Ramën, kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli  nuk është më ai “kandidati i përsosur” që meritonte mandatin e deputetit socialist!

Kjo marrëdhënie e ndryshuar mes tyre mund të ketë disa shpjegime, por dhe Edi Rama, edhe Dritan Leli e kanë shumë të vështirë të bindin shqiptarët se shkaku nuk është korruptiv…

Nejse! Meqenëse punët vajtën kështu, sidoqoftë, ata  të dy nuk duhet të harrojnë një gjë: komunikimin institucional. Për sa kohë mbajnë detyra shtetërore, të dy e kanë detyrim ligjor komunikimin. Të paktën sot. Të paktën për Ditën e Flamurit…

Se pastaj ndodh ashtu si ndodhi këtë 28 Nëntor në Sheshin e Flamurit që askush nuk u kujdes për një dekor apo fasadë të përkohshme që të na kursente nga pamja e shëmtuar pas krahëve të tyre.

Mjeshtrit e fasadave këtë radhë harruan zanatin dhe kjo ishte e pafalshme.

Fotoja me pamjen pas krahëve të katër shtetarëve tanë flet sa 1000 fjalë për një Vlorë e një Shqipëri që mbas 109 vjetësh qeveriset edhe nga ca njerëz të papërgjegjshëm, të përçarë dhe që imitojnë Ismail Qemalin vetëm në lukun e portretit duke kuruar mjekrën…

Zoti i mëshiroftë!

 

©Copyright VALA News

Ky artikull është ekskluziv i Vala News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vala-News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.