Mjekët e Teksasit mund t’i kthehen procedurës së kryerjes së abortit pa pasur frikë se do të raportohen në polici. Një gjykatës federal, bllokoi përkohësisht “Senate Bill 8”, ligji i Teksasit që ndalon ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë, pasi personeli mjekësor të zbulojë “aktivitetin e zemrës” në embrion, zakonisht rreth gjashtë javë. Një ndalim që vlen edhe për përdhunimin dhe incestin.

Gjyqtari i Qarkut në Austin, Teksas, Robert Pitman, mbështeti apelin e administratës Biden kundër ligjit, më i rrepti i Amerikës.

Në 113 faqet e dokumentit me të cilin u urdhërua pezullimi i masës kundër abortit, gjyqtari theksoi parësinë e Kushtetutës Amerikane, e cila garanton plotësisht të drejtën e një personi për të vendosur nëse do të zgjedhë të abortojë para “qëndrueshmëria e fetusit ” të jetë e stabilizuar.

Për Shtëpinë e Bardhë është një fitore, por ndoshta e përkohshme. Teksasi reagoi duke njoftuar se do të apelojë vendimin e gjyqtarit federal.

Në Shtetet e Bashkuara, aborti është i ligjshëm në nivelin federal, por nuk ka asnjë ligj të vetëm që rregullon modalitetet. Secili shtet ka ligjet e veta që përcaktojnë kritere dhe kufij për ndërprerjen e shtatzënisë.

Vitet e fundit, disa shtete që, ashtu si Teksasi, qeverisen nga republikanët, janë përpjekur të kufizojnë në masë të madhe mundësinë e ndërprerjes së shtatzënisë, pavarësisht protestave nga shoqatat që merren me të drejtat e grave.

Të dielën mijëra njerëz protestuan në qindra qytete amerikane për të kërkuar që ndërprerja vullnetare e shtatzënisë të mbetet e lirë dhe e ligjshme.

Sidoqoftë, edhe në këtë periudhë pasigurie, shërbimet për gratë që synojnë të abortojnë në Teksas mund të mbeten të bllokuara: mjekët, në fakt, kanë frikë se mund të paditen nëse nuk ka bazë ligjore të përhershme që përcakton anti-Kushtetutshmërinë e rregullit.

Ligji i Teksasit, i miratuar nga guvernatori republikan Greg Abbott në maj, ndalon ndërprerjen e shtatzënisë nga momenti i zbulimit të rrahjeve të zemrës, rreth gjashtë javë, kohë kur një grua mund të mos e di as që është shtatzënë. Gjithashtu autorizon këdo, kudo në Shtetet e Bashkuara, të raportojë shkelësit.