Një i penduar çoi në zbulimin dhe zbardhjen e plotë të 2 ngjarjeve të rënda kriminale të 15 viteve më parë ku në dy atentate mafioze u ekzekutuan Klodian Saliu si dhe biznesmeni Vajdin Lamaj me mikun e tij të fëmijërisë, Artan Arsi.

Gazetarja Klodiana Lala tha për News24 se ishte një i penduar që ka rrëfyer detaje për dy atentatet.

Ngjarja më e bujshme ishte vrasja me tritol në ashensorin e pallatit ku banonte biznesmeni Vajdin Lame dhe të Artan Arsit, më 27 Shkurt 2005.

Si organizatorë dhe ekzekutorë, SPAK akuzon Emiljano Shullazin, Lulzim Berishën, Plarent Dervishin, Indrit Taullain, Viktor Ymerin, Luftar Reçin dhe Indrit Rusin.

Shullazi ndodhet në burg duke vuajtur një dënim prej 14 vitesh nga Gjykata e Shkallës së Parë për “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie” dhe grup i struktuaruar kriminal. Taullai u arrestua dy ditë më parë në Prizren, ndërsa Viktor Ymeri dhe Indrit Rusi u prangos këtë të martë.

Lulzim Berisha e Plarent Dervishi janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ngjarja e dytë është ekzekutimi Klodian Saliut, teksa udhëtonte me makinë në autostradën Durrës – Tiranë.

Prokuroria e Posaçme thotë se të përfshirë në atentat janë Lulzim Berisha, Plarent Dervishi, Indrit Taullai, Luftar Reçi dhe Indrit Rusi, thuajse të gjithë ata që organizuan dhe zbatuan atentatin ndaj Lames, përveç Emiljano Shullazit dhe Viktor Ymerit.

Të gjithë këta persona akuzohen për disa vepra të rënda penale, si ajo e “vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “grup i strukturuar kriminal” si dhe “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.