Gazetarja, Klodiana Lala thotë se një i shumëkërkuar për ngjarje të rënda kriminale, po kalon në sitë nga organet e drejtësisë, pasi dyshohet se është i përfshirë në zhdukjen e Ervis Martinajt.

Në “Euroneës Albania”, Lala u shpreh se është gjetur edhe një automjet, që dyshohet se përdorej nga Martinaj. Sipas saj, kjo pistë e re i ka drejtuar hetuesit drejt Kosovës.

“Ajo dosje ka pafund histori. Është gjetur më pas një automjet që dyshohet se përdorej nga Ervis Martinaj, ka çelur një pistë të re që i drejton hetuesit drejt Kosovës. Në sitë po kalon edhe një personazh i shumëkërkuar, i përfolur për shumë ngjarje të rënda kriminale, refuzoj ta bëj me dije emrin, duke qenë se është duke u hetuar. Dyshohet si i përfshirë në këtë histori”, theksoi ajo.

Gazetarja Lala tregoi më tej se autoritetet shqiptare po kërkojnë informacion në Itali dhe Maqedoni të Veriut për zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.

“Pse policia hesht? Duhet të ushtrojmë presion pozitiv ndaj ministrisë që të na japë një përgjigje dhe për të qetësuar familjarët dhe për të kuptuar se çfarë po ndodh me këtë histori. Një kryeministër nuk mund të dalë dhe të thotë që dimë disa të dhëna. Autoritetet shqiptare kanë kërkuar në drejtim të dy vendeve, por janë kërkuar të dhëna përmes shenjave të gishtërinjve në shtetin italian dhe janë kërkuar në Maqedoninë e Veriut. Është një çështje e madhe do të kërkojë shumë kohë për ta sqaruar”, u shpreh Lala.

Gazetarja shtoi më tej se në Policinë e Shtetit u vërtetua se ka njerëz të inkriminuar.

Prej më shumë se 40 ditësh, mbreti i lojërave të fatit, Ervis Martinaj është zhdukur.

Zhdukja e tij ka vënë në lëvizje jo vetëm institucionet e drejtësisë, por edhe politikën.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shumë shpejt do kemi një përgjigje për fatin e tij, ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se Rama e di ku ndodhet mbreti i lojërave të fatit dhe akuzoi prokurorinë se nuk po vepron.