Nga Kastriot KOTONI 

Kohët ndryshojnë, por kujtimet mbeten. Me Bujar Sh. Hoxhën, një javë më parë ishim duke komentuar në emisionin Inside Story në Top Channel, ku ai ishte protogonisti kryesor. Sapo u ulëm, një i njohur i tij e largët që kishte vite që frekuentonte atë bar-kafe, na ul në tavolinë. Ai pyeste e Bujari përgjigjej. I paftuari na kënaqi me kujtimet e tija dhe biseda iku pa u ndjerë. E pyeta Bujarin: ç’ne që e njeh këtë, a ka punuar me ju?

Jo more Kastriot është mik, sepse ka njerëz që të respektojnë edhe jashtë profesionit. Gjithë jetën do të ketë njerëz të tillë që të respektojnë për atë që je. M’u kujtua emisioni në Top Channel, ku kisha folur për respektin që gëzonin njerëzit e Sigurisë Kombëtare si kudo në botë. Ata që ishin njerëzit më të besuar të shtetit qoftë edhe një përshëndetje të kishe, ishte një garanci më shumë që të shihnin me sy të mirë, tjetër gjë se ç’bëri politika pas viteve 1990 kundër figurës së ushtarakut, policit dhe njerëzve të Sigurimit të Shtetit. Në librin e Bujarit “Pluralizmi Shqiptar dhe Sigurimi i Shtetit” jepet ky detaj nëpërmjet debatit me ish deputetin Azem Hajdari. Dhe kumti i këtij debati përfundon me pozicionin e gjoja dy të persekutuarve nga Kavaja vendlindja e tij nga të cilët nuk e priste që ata të jepnin opinion kundër tij, ndërkohë opinioni nga Kukësi dhe Vlora ishte tejet pozitiv për njeriun që kish zbatuar ligjin me ndershmëri, patriotizëm dhe korrektesë. Bujari që unë e njoha krejt rastësisht pasi e kërkoja prej tre muajsh që të shkruaja për librin e tij, pasi u botuan 5 Dosierë në gaztat “Dita” dhe “Tema”, “Sot” dhe “Fjala” dhe në webin e “Ballkan News”, të cilave u jam mirënjohës. E pimë kafen e parë tek bar-restorant “Tajvani” dhe unë, për të pasur një nivel mirënjohjeje, i thashë: ”Të lumtë Bujar, i ke thënë gjërat troç dhe me korrektesë me ligjin, ky është sekreti që libri do të ketë sukses!” Dhe ashtu ndodhi. “Pluralizmi dhe Sigurimi i Shtetit” goditi në memorjen e lexuesit. Aq e vërtetë është kjo, sa njerëz të ndryshëm pyesnin kush ishte x dhe y, por ai, Bujari i qëndroi besnik ligjit dhe profesionit. Kurrën e kurrës nuk e shiti profesionin e tij, siç bëjnë ca e ca që e kanë shkelur ligjin e dosjeve me të dyja këmbët duke abuzuar me detyrat shtetërore ku ende vazhdojnë. Bujarin dhe shumë specialistë të nivelit të tij, politika i hodhi në rrugë, por ata nuk u qyrravitën në emër të servilizmit. Përballuan me një dinjitet të pashoq gjithë atë baltë dhe orteqe që hodhi politika në emër të luftës kundër komunizmit, se shumë nga ata që erdhën në politikën e pas viteve 1990 ishin dhe janë bashkëpunëtorë të agjenturave të huaja që kishin synime ndaj kombit shqiptar…

Në librat e tjerë ku shkruan për kumbarët shqiptarë Bujari e ka parashikuar me fakte lidhjet e bandave shqiptare me organizatat mafioze italiane. Le të çirren në media disa “analistë” e medemek “ish kokat e drejtësisë”…

Bujari e donte punën dhe, kur punoi si drejtor i antiterrorit, ishte i pari që në kushtet e atyre ligjeve “Busheta shqiptar foli”… Domethënë, kish bërë për herë të parë me mënyrë profesionale një të penduar të drejtësisë me të cilin zbërtheu një bandë kriminale me lidhje me mafian italiane. Bisedat e mia me Bujarin sa herë që takoheshim kishin një ngjarje të re. Flitej gjithmonë për një temë të re, një libër tjetër, ku ai me tregime apo copëza nga jeta e hetuesit krijoi librin “Hijet e një krimi”. Perla që vetëm një penë si e Bujarit dinë t’i rrëfejnë. Skenarë për filma ishin… Po ku ka ndodhur që të ringjallet kanuni në Vlorë dhe i ati nxjerr në prit të birin që kish vrarë për ca para një fshatar në fshatin ngjitur…  Lojë nervash, jetë dhe fate njerëzore, ku hetuesit i duhet të kalojë në majë të tehut për të zbërthyer heshtjen e familjeve pas 4 vjetësh… Por, siç do të më thoshte Bujari, ky profesion kërkon krahas njohurive edhe imagjinatë, krijimtari, sepse nuk ka manuale të gatshme për zbërthimin e krimit. Libri “Krimi dhe Antikrimi”, një histori e krimit dhe analizë e tij është një libër, sa profesional, po aq edhe informues për hetuesit dhe prokurorët. Po ku e dinim ne dënimin e kohës e cila u tregua e pamëshirshme e na ndau kaq shpejt me Bujarin tonë, i cili e kishte me shumë dashuri për ta mbaruar sa më shpejt librin e tij të preferuar që i kushtohej një “Asi të spiunazhit shqiptar”…

Zilja e telefonit të tij dy orë para se të ndodhte arresti kardiak më njoftoi se ishte lidhur me gazetarin e një televizioni të cilin ia kisha propozuar unë. Ai gazetari më merr nga ora 18 dhe më përcjell lajmin e kobshëm të cilin nuk e besoja. Mora me shpejtësi në numrin e Bujarit. Një zë i njëjtë nga përtej ma pohoi se Bujarit i kish ndodhur një vdekje në gjumë, pushim zemre… Ishte nipi i tij. Lotët më pushtuan e nuk më bëhej të dilja nga shtëpia. U mpiva. Lajmërova njerëzit që e njihnin sa munda dhe mora nga ata ngushëlllime si për një njeri të afërt, se ai patrioti, familjari dhe fëmija i tretë mbetur nga të 8 vëllezërit e motra, Bujar Sh. Hoxha, i kish bërë vend vetes kudo me punën e tij në shërbim të kombit, e theksoj në shërbim të kombit.

Po të lexoni librat e tij dhe sidomos librin “Tropojani”, ai nuk ia fali askujt vrasjen e Ilir Konushefsit dhe doktor Malajt që i shërbenin luftës për çlirimin e Kosovës…