Profesor, u bë kohë që s’kemi dëgjuar nga ju të shpreheni publikisht për zhvillimet e brendshme në vend. Zhvillimet e sotme ne Partinë Demokratike dominojnë vëmendjen e publikut dhe të mediave. Si i shihni ju këto zhvillime?

Tarifa: Çfarë po ndodh sot Partinë Demokratike dhe me këtë parti nuk është diçka që duhet të preokupojë vetëm anëtarët dhe simpatizantët e saj. Zhvillimet e fundit në PD dhe fati i kësaj partie janë një ogur për vetë shëndetin e Demokracisë në Shqipëri. Nëse do të jenë një ogur i mirë, ose i keq, kjo mbetet për t’u parë.

Mua nuk më vjen keq për këtë çarje të madhe që ka ndodhur në PD dhe për greminën që po bëhet përditë e më thellë mes dy pjesëve të saj, ose mes dy “gjysmave” të saj—njërës që i shkon pas z. Berisha dhe tjetrës, që ekzistencën e saj e ka lidhur me mbijetesën në krye të PD-së të z. Basha. Një parti e tillë, e përçarë deri në palcë, nuk është dhe as nuk bëhet dot një forcë opozitare, që të ushtrojë presion për një qeverisje më të mirë të vendit dhe, aq më pak, një alternativë më e mirë qeverisjeje. Dëmi që i bëhet demokracisë nga kjo gjendje e pashpresë e partisë më të madhe opozitare në vend është më i madh sesa dëmi që po pëson vetë kjo parti.

Ju e quani gjendjen e PD-së të pashpresë; a mos është kjo një qasje fataliste?

Tarifa: A mund të më thoni ju se çfarë ushqen shpresë në atë parti? Programi i saj? Cili është programi i saj? E dini ju? Drejtuesit e saj? Cili individ, ose cilët njerëz e drejtojnë atë parti? Basha ka zhgënjyer shumë njerëz, brenda dhe jashtë Partisë Demokratike; në krye të asaj partie ai nuk ka mundur të fitojë asnjë betejë elektorale dhe, në gjendjen që është kjo parti sot, apo në gjendjen që pritet të dalë pas kësaj krize vërtet ekzistenciale për të, do ta ketë edhe për shumë kohë të vështirë, në mos të pamundur që të fitojë në zgjedhje. Mos harroni se, në 30 vite, PD ka fituar vërtet vetëm dy herë në zgjedhje të përgjithshme—më 1992 dhe më 2005—herën e parë në një periudhë përmbysjeje revolucionare, pritshmërish dhe shpresash të mëdha; të dytën pas tetë vitesh qeverisjeje të konsumuar të socialistëve. Fatkeqësisht, në Partinë Demokratike nuk shohim të ketë, sot për sot, asnjë individ që të mund ta ngrinte në këmbë këtë parti duke e çliruar nga sëmundjet, nga mëkatet dhe nga pasojat e krizave të shkuara.

Mund të keni të drejtë, por, a mundet PD të rimëkëmbet, madje edhe të dalë më e fortë pas kësaj krize, apo mendoni se kriza do të thellohet më tej dhe kjo parti do të ndahet.

Tarifa: Mbështetësit dhe anëtarët e kësaj partie, funksionarët e saj në çdo nivel dhe anëtarët e saj në Parlament duket se janë rreshtuar përballë njëra-tjetrës si dy ushtri armike, që nga transhetë e tyre përpiqen të asgjësojnë palën kundërshtare. Ato janë në luftë me njëra tjetrën. Lufta nuk bëhet thjesht mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Lufta bëhet mes “legjioneve” që ata kanë pas vetes dhe mes ndjekësve besnikë ose servilë të tyre që mbrojnë njërin dhe anatemojnë tjetrin çdo mbrëmje në studiot televizive. Kjo është një luftë “brenda llojit”; Partia Demokratike është në luftë me Partinë Demokratike. Unë nuk di të them se cila palë do të dalë e fituar nga kjo luftë. Unë mendoj se të dyja palët do të dalin të humbura. Ajo që di të them me siguri është se rikthimi i Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike do të shënonte jo rilindjen e saj, por fundin e saj. Paradoksi i gjendjes së sotme në Partinë Demokratike është ky: me Bashën kjo parti nuk fiton; me Berishën ajo është e humbur; nga kriza e PD-së është e humbur edhe Partia Socialiste, pavarësisht se në zgjedhje ajo përsëri fiton.

Qysh nga mesi i viteve 1990 e kam konsideruar Sali Berishën një fatkeqësi kombëtare. Përveçse një individ non grata për Shtetet e Bashkuara, ai është një individ mjaft i rrezikshëm për shoqërinë dhe demokracinë shqiptare.

Mua më duken absurdë, madje edhe qesharakë, disa nga ata analistë që mbushin studiot televizive duke u përpjekur të na e shesin “Lëvizjen e Foltoreve” si një “shprehje autentike të demokracisë”, si “demokraci në veprim”.

Të jenë vallë kaq naivë sa të mendojnë se kjo është një lëvizje “nga poshtë”, një lëvizje e masës së gjerë të anëtarësisë së PD-së për të shpëtuar partinë e tyre?! Të jenë vallë kaq naivë sa të mos shohin pas kësaj lëvizjeje dorën e fortë, trurin e nxehtë dhe mllefin hakmarrës të Sali Berishës, si dhe aktivizmin militant të mbështetësve fanatikë të tij?! Kaq memorie të dobët kanë këta njerëz sa të kenë harruar se ç’kanë hequr ky popull dhe ky vend nga Sali Berishanë vitet 1990?!

Dhe kaq naivë i mendojnë Berisha dhe analistët berishijanë shqiptarët, kur u thonë se Shqipërinë e futi në NATO Sali Berisha, se qytetarëve shqiptarë ua mundësoi lëvizjen e lirë në Europë Berisha, se Berisha është proamerikani më i madh, se Berishës i digjet zemra për Kosovën dhe se është pikërisht “patriotizmi” i tij dhe “dashuria” e tij për Kosovën dhe kufijtë e saj ato që i bënë atë dhe familjen e tij persona të padëshiruar për Shtetet e Bashkuara, aleatin më të madh të Shqipërisë dhe të shqiptarëve?!

Por, a e shihni ju të mundur kthimin e Berishës në krye të PD-së, ose si një aktor aktiv në politikën shqiptare?

Tarifa: Unë mendoj se karriera politike e Berishës ka mbaruar dhe se fati politik i tij është përcaktuar. Ata njerëz që besojnë se Berisha do të “triumfojë” në përpjekjen e tij ligjore, si një individ i lirë, me përfaqësuesin më të lartë të Shteteve të Bashkuara në marrëdhëniet e kësaj superfuqie me botën, Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, janë ose të paditur, ose trushpëlarë, ose naivë, ose për të ardhur keq, ose të gjitha këto njëherësh. Lufta e Berishës me Shtetet e Bashkuara (sepse Blinken, në këtë rast, është Shtetet e Bashkuara dhe jo një person privat), i ngjan një lufte me mullinjtë e erës. Do thoni ju, pse atëherë e nisi Berisha këtë “betejë ligjore”? Përgjigja do të ishte metafora e një njeriu që po mbytet dhe kërkon shpëtim te një fije bari.

A mund të kthehet Berisha në krye të PD-së? Edhe mundet, por me të, ajo parti nuk do ishte më Partia Demokratike. Por pse do të duhej që mijëra njerëz t’i shkojnë pas një njeriu që po mbytet? Dashuria për Berishën? Luajalizmi tribal ndaj tij? Besimi në virtytet dhe parimet e pakomprometuara të tij? Zhgënjimi nga drejtuesit e sotëm të PD-së? “Urrejtja” për qeverinë socialiste dhe Kryeministrin Rama? Nevoja për konsideratë dhe pjesëmarrje? Karizma e Berishës? Të gjitha këto, sigurisht, luajnë një rol. Megjithatë, pjesa më e madhe e njerëzve, në pjesën më të madhe të kohës, janë qenie racionale, të arsyeshme, dhe arsyeja të thotë se, nëse je i padëshiruar për amerikanët, nuk mund të kesh një rol në politikën shqiptare dhe as të motivosh e të frymëzosh ata që të ndjekin pas.

Siç vura në dukje më sipër, synimi i Berishës për të rimarë PD-në do e thellojë edhe më tej krizën e asaj partie. PD mund të mos vetasgjësohet, por ajo nuk mund të jetë një parti me dy kokë, as me dy trupa. Me Berishën në krye të saj, i cili, nëse dikur bashkonte, sot vetëm përçan, PD do të jetë o njëra, o tjetra pjesë e saj, ajo që do marë “truallin” më të madh. Divorci më duket i pashmangshëm, por do të jetë një divorc “Albanian style”, jo një divorc skandinav, as si ai mes çekëve dhe sllovakëve në fillim të viteve 1990.

Dhe LulzimBasha?

Tarifa: Siç rrodhën ngjarjet dhe në këtë pikë ku kanë mbërritur punët, Berisha dhe Basha janë bërë përjashtues të njëri-tjetrit. Basha nuk u rrit dot si një lider i vërtetë politik dhe, në PD, deri vonë, ai vetëm nominalisht ishte drejtuesi i saj. Qëndrimet e tij të sotme, narrativa e tij dhe toni “burrëror” me të cilën ua komunikon këto qëndrime ndjekësve të tij dhe publikut të gjerë, dëshmojnë jo vendosmëri, por pasiguri dhe frikë. Në fakt, Berisha, si kundërshtar, është i frikshëm. Edhe me Berishën që e mbështeste, Basha ishte një lider i dobët; nuk mund të bëhet më i fortë pa Berishën, ose me Berishën dhe ndjekësit e Berishës kundër tij. I vetmi gjest i denjë për dinjitetin e tij do të ishte dorëheqja, edhe pse kjo mund të dukej si disfatë. E mira do të ishte një dorëheqje pasi të jetë siguruar se Partia Demokratike nuk do të bjerë në duart e Berishës, por do të vazhdojë të ekzistojë, të rinovohet e të riorganizohet nën drejtimin e një grupi individësh seriozë e prudentë, jo të Berishës që sot përbën rrezikun më të madh për atë parti. Por, a është kjo e mundur tani, në nëntor, ose në dhjetor të këtij viti?! Unë dhe ju e dimë se kjo është e pamundur.

Një pyetje e fundit: Si mendoni se i përjetojnë Kryeministri Rama dhe Presidenti Meta këto zhvillime në Partinë Demokratike?

Tarifa: Për Presidentin Meta nuk di ç’të them dhe as kam dëshirë të flas. Disa muaj më parë publikisht kam deklaruar se unë nuk e njoh më atë si presidentin tim. Por, mund të them këtë: Marrëdhënia e tij amoroze për vite me radhë me Sali Berishën e bën Ilir Metën të ndihet keq për fatin e Berishës dhe i trembur për fatin e vet.

Sa për Kryeministrin Rama, do të dëshiroja që zhvillimet e sotme në Partinë Demokratike të ishin jo një sebep për të fërkuar duart i ngazëlluar, ngaqë opozita po përçahet e dobësohet, por një motiv për të drejtuar më mirë Partinë Socialiste dhe punët e qeverisë, duke u qenë më i hapur ndaj kritikave, ndaj vërejtjeve dhe ndaj sugjerimeve nga kushdo, sidomos kur këto i bëhet nga njerëz të ditur dhe ekspertë në fushat e tyre. Rama ka treguar se është një burrë më i mençur sesa Berisha dhe Basha; tani ai ka një mundësi të çmuar të bëhet edhe një politikan dhe një burrë shteti më i mirë. Ai duhet të bëhet opozitari i vetvetes dhe i qeverisë së tij. Sado paradoksale të duket, kjo nuk është e pamundur. Mjafton të dëgjojë më shumë./DITA