Trungjet e përdredhur, gjethet gri në të argjendtë, të cilat mahnitën edhe Van Gogh-un. Forca, bukuria, lashtësia, puna e fshatarëve, tmerri nga Xylella*.

Ullinjtë janë shumë gjëra bashkë dhe ndoshta nuk ka bimë më joshëse në Mesdhe, nuk ka një gjigant të tillë më të mirë siç është kjo pemë mijëvjeçare, e cila duket se bart peshën e historisë dhe magjinë e “paqes së saj të pashtershme” siç e cilësonte Pablo Neruda.

Dhe tani që paqja dhe qetësia po mungojnë, si nga pandemia apo për shkak të bakterit të tmerrshëm infektues, një dritë shpresë shfaqet te komunitetet dhe organizatat ndërkombëtare – një program që ka bërë bashkë Puljen, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Molisen dhe ka vënë në zbatim një sërë praktikash të mira, falë të cilave kanë lindur shtigje turistike slow, aktivitete për t’i mbrojtur, harta njohëse dhe një sërë nismash që krijojnë një Udhë të Ullirit, jo vetëm një rrugë trekking (edhe këto përfshihen) por edhe një zhvillim kompleks me mundësi ndërkombëtare.

Bilanci i këtij aktiviteti u bë në një takim online nga CIHEAM Bari, për të reflektuar mbi zhvillimet e shumta të INTERREG IPA CBC me programin CBO (Cross Border Olive), i cili ka lidhur territore të afërta dhe të largëta, aktivitete për mbrojtjen e mjedisit dhe kulturës rurale, ndërgjegjësimin dhe informimin e komuniteteve.

Po, se ndonjëherë, edhe ne që jetojmë pranë këtyre mrekullive nuk ua njohim vlerën e vërtetë, trashëgiminë e pafundme që shprehin, si në lidhje me traditën, ashtu edhe me thelbin e funksionit të tyre për të krijuar “ura” të qëndrueshme mes popullsive të ndryshme.

Mendoni pak, sa gjuhë të ndryshme fliten rrëzë ullinjve?

Mesdhetare, europiane, ballkanike dhe jo vetëm. Gjuhë që jehojnë në këtë projekt CBO, përbri Puljes dhe qendrës së Italisë, mes Puljes dhe zonave të mrekullueshme natyrore të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Mjedis, turizëm i qëndrueshëm dhe vlera kulturore – tha në fjalën e hyrjes drejtori ekzekutiv Biagio Di Terlizzi, duke përfaqësuar drejtorin e Ciheam, Maurizio Raeli – janë mundësi që ne i ndihmojnë të rriten.

Të njëjtën gjë shtoi edhe Pandeli Pasko, duke paraqitur dhe duke moderuar debatin, i cili përfshiu gjithë ekspertët e interesuar në këtë program, të cilët sollën shumë zëra, imazhe, ndjesi e rezultate të planifikuara që ndërthurin përvoja të ndryshme, nga ajo e Ciheam dhe Rajonit të Puljes te Parku i Venafros në Molise, nga Universiteti i Tiranës (Fakulteti i Bujqësisë), deri te Bashkia e Tivarit, Instituti i Kërkimeve Urbane (Shqipëri) dhe Shoqata e Valdanosit.

Peizazhe të pafundme, trungje, mure veç prej guri dhe fusha pafund janë skenografia e këtij rrëfimi. Pjesëmarrësit e ndryshëm si Crescenzio Antonio Marino dhe Aurora Losacco nga Interreg-u, apo rektori shqiptar Fatbardh Sallaku, Endrit Kullaj, Erdona Demiraj, Romina Koto, Adhurim Lazaj, Ita Angoni nga ana shqiptare treguan se si përreth ullinjve shekullorë lindin dhe do të lindin shtigje.

Shumë, po kaq shumë profesionistë të përfshirë! Për Institutin e Kërkimeve Urbane foli eksperti i mjedisit Erni Kocani; për Malin e Zi, Komunën e Tivarit, Ana Zivanovic; për Shoqatën e Valdanosit, Fjolla Cakuli; për Parkun e Venafros, drejtuesi Emilio Pesino me Adele Rossi; ndërsa nga Ciheam, ishin të pranishëm Rosanna Quagliariello, drejtuese e Marrëdhënieve të Jashtme, dhe u përfshinë, përveç të sipërpërmendurit Pandeli Pasko, Mara Semeraro, Eustachio Dubla, Jenny Calabrese, Roberta Callieris, Pandi Zdruli, Gianluigi Cardone, Gianfranco Cataldi, Gianfranco Ciola, Giuseppe Morganella e Salvatore Fabiano.

Për ata që kanë dëshirë të udhëtojnë dhe të ecin mes ullinjve – sapo të bëhet e mundur – janë gati materialet (harta, broshura, shënjimet e shtigjeve dhe trajnimi i komuniteteve, video, rrugët dhe udhëzimet për ndërhyrje). Dhe nuk ka vetëm fjalë tregimtare, por ka edhe shumë humanizëm, sepse janë trajnuar edhe vetë fermerët, të rinjtë, punonjësit. Dhe është krijuar një rrugëtim i vërtetë për shpirtin dhe mendjen, që me siguri do të japë frytet e veta.

Në Molise, shtegu i ullinjve kryqëzohet me Udhën e Sh. Timoteos; Në Mal të Zi, Rruga Dinarike është cilësuar nga National Geographic si një ndër rrugëtimet më të bukura për trekking. Bashkia e Tivarit ka realizuar një video të rrugëtimit malazez që gjendet në https://youtu.be/NFagwoNk2j4. Ashtu si edhe në Shqipëri, në Pulje e Mal të Zi ka itineraret ciklo-turistike për t’u provuar.

Duke ndier erën në fytyrë dhe shushurimën e saj mes gjetheve të ullinjve.

Shqipëri – layout by Mara Beccafarri | contents by J. Matraku, E. Kullaj, E. Kocani

 

Mali i Zi, Tivar – layout by Mara Beccafarri | contents by A Živanović, M. Markoč, A. Mihaljević,

 

Venafro – layout by Mara Beccafarri | contents by E. Pesino, G. Cutillo, A. Rossi, A. Rizzi

 

Mal i Zi, Valdanos, Ulqin – layout by Mara Beccafarri | contents by F. Cakuli, K. Hidrio

 

*Enrica Simonetti

La Gazzeta del Mezzogiorno

*) Xylella fastidiosa është një bakter aerob gram-negativ i gjinisë monotip dhe patogjen i bimëve që transmetohet ekskluzivisht nga insektet që ushqehen me lëngun drusor dhe ka kryer shkatërrime të mijëra hektarëve me ullinj në Italinë e Jugut.