Nga Dashnor KOKONOZI

Emrat e shumë rrugëve në Tiranë janë flagrantë dhe zhgenjyes. Për të shpëtuar nderin e qytetit, një rrugë urgjentisht duhet të marrë emrin e Cucit, qenit të poetit Lasgush Poradeci.


Arsyet janë të qarta: Ndryshe nga shumë të tjerë që tashmë kanë rrugën e tyre, edhe pse vranë, spiunuan dhe hodhën pareshtur beton në themelet e regjimit, Cuçi vetëm me ekzistencën e tij paqësore kishte ngjallur urrejtjen e regjimit që disa herë kërkoi zhdukjen e tij. (Kjo e dokumentuar dhe me dëshmitarë)

Më tej, tek shoh rrugë me emra biznesmenësh të njohur si vrasës, politikanësh të korruptuar, banditësh e njerëzish pa asnjë vlerë e kontribut shoqëror, artistësh e kritikësh të cilëve nuk u kujtohet e nuk u qendron më këmbë as edhe një frazë, përsëri them se Cuci meriton më shumë.

Ai jo vetëm se nuk ka asnjë “rekord” kriminel në biografinë e tij sikundër ata të mësipërmit, por mbi të gjitha i ka bërë shoqëri të zotit, që në praninë ngushëlluesde të Cucit, kurrë nuk e integroi në mendjen e tij ekzistencën e regjimit të shkuar.

Për t’i shpëtuar nderin qytetit (se tani është vonë dhe nuk ke më ç’ti shpëtosh tjetër), në zgjedhjet e ardhshme vota i duhet dhenë atij që do të premtojë një rrugë a bulevard të Tiranës me emrin Cuci i Parë.