Pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të së dielës, ish-kryetari i PD në Kukës sot ka thirrur në protestë qytetarët që duan largimin e Lulzim Bashës nga Partia Demokratike. Përmes një postimi në rrjetet sociale Ibsen Elezi ia faturon Bashës përgjegjësinë e humbjes dhe kërkon largimin e tij nga drejtimi i PD-së, duke iu bashkuar kështu edhe zërave të tjerë demokratë, që duan largimin e tij. Duke e konsideruar si çështje të shpëtimit të Partisë Demokratike, ai thërrët të gjithë qytetarët në orën 11:00 te PD. I ashpër në reagimin e tij ka qenë edhe ish-anëtar i Këshillit Kombëtar të PD dhe ish-kryetar i FRPD Lisandër Hoxha. Ai kërkon largimin e kryedemokratit dhe thotë se do ta bëjnë demokratët nëse ai vetë nuk dorëhiqet.

Postimi i Ibsen Elezit

Sot shtrohet çështja e shpëtimit te PD nga shkatërrimi.

Nëse dikujt i dhimbset Luli më shumë se PD të dalin dhe të formojnë një parti tjetër.

Partia Demokratike nuk është pronë e dikujt.

Reagoni dhe mos të lejojmë shkatërrimin e planifikuar të saj, janë qindra mijëra ata që kanë kontribuar nga 91 që e duan një PD të fortë demokratike përballë një pakice që duan ta mbajnë peng.

Ti kërkosh proces zgjedhor brenda PD një humbësi të shumfishtë për ta nxjerrë PD nga kriza, është kërkesë mininmale dhe e detyrueshme demokratike, nëse dikush e refuzon thjeshtë duhet detyruar ta pranojë.

10 Betejat e Shitura

Basha VS Rama

2015 braktisja reformës territoriale

2015 humbja e zgjedhjeve lokale

2017 marrëveshja e 17 majit

2017 listat personale dhe humbja e zgjedhjeve parlamentare

2018 protestën e Kukësit

2019 dorëzimi i mandateve (braktisja e kauzes dhe protestave)

2019 dorëzimi 60 bashkive

2020 braktisja e mbrojtjes Teatrit

2020 dështimi i reformës zgjedhore

2021 humbja e dytë e zgjedhjeve parlamentare

Nesër te PD, ora 11

Postimi i Lisandër Hoxhës:

Ti, humbës serial zgjedhjesh dhe betejash politike, mos pretendo të vazhdosh të mbash peng pluralizmin e vendit! Sot i fale Edi Ramës mandatin e tretë, një risi kjo në Shqipëri. Sot prisja të shihja një të penduar që do të dorëhiqej dhe jo një sharlatan që nuk kishte as sensin minimal të përgjegjësisë politike dhe moralit njerëzor për humbjen e paimagjinueshme.

Kjo pafytyrësi është vetëm në shërbim të regjimit oligokrat, përmes të cilit ti po i mban peng shqiptaret në mëshirën e Rilindjes.

Koha jote Lulzim Basha ka mbaruar! Ti do të përballesh me demokratët, të cilët nuk të falin dot 4 herë!

Humbësit nuk kanë asnjë moral që të kërkojnë prej nesh përkrahje. Ata, nëse nuk largohen duke marrë përgjegjësitë, do të duhet që ne demokratët t’i largojmë!

Partia Demokratike është shtëpia jone dhe atë nuk e japim me PPP tek Rama dhe Oligarkët.