“Epokës sonë por edhe në të kaluarat,
të tjerë janë brenda zjarrit dhe të tjerë duartrokasin.
Poeti ndahet në dysh.”

Takis Sinopulos
(Ilia, 17 mars 1917 – 25 prill 1981)
_____

Si sot, në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të kaluar, ka ardhur në jetë një poet i madh grek. Nuk di si ka rastisur kështu, emri i tij nuk është kaq i evidentuar, sa vepra që shkroi. Nuk rjeshtohet ndër të mëdhenjtë, si Seferis, Kavafis, Elitis apo Ricos kur bëhet fjalë për poezinë helene të kësaj epoke, megjithatë kritika ka pohuar dhe lexuesit e kanë mbështetur idenë se ky poet është nga më të mëdhenjtë e brezit të pasluftës së dytë të shekullit paraardhës. Çka arriti, e ka fituar me punë, shumë mund dhe falë talentit të tij të jashtëzakonshëm. Kaloi shumicën e jetës mbi librat, duke hulumtuar fjalët dhe nuancat e tyre. Gërryu pambarim tek miniera e pashtershme e fjalorit të helenishtes, i gdhendi fjalët si gurët, prandaj dhe poezitë që krijoi janë ndërtuar prej gurësh të çmuar. Vetëm Eliti e përdori kësisoj gjuhën. Edhe ai, Takis Sinopulos, “poeti-lumë i Greqisë së re”, siç e ka quajtur kritika.
Lindi në fshatin Agulinica të Ilias, afër Pirgut. I ati ishte filolog. Natyrisht, ndikoi. Vendlindja ama ndikoi më tepër veprën e tij të mëvonshme. Lumi pranë fshatit “ia shoi krejtësisht etjen”, siç do të shprehej më vonë.
I përket brezit të parë të pasluftës së dytë botërore. Atij të viteve tejet të vështira për shoqërinë greke. Ato ndikuan, natyrisht, në formimin e karakterit të poetit, por ndikimin më të madh e kishte nga “kolegët” e tij të mëdhenj botërorë të fjalës. Veçanërisht Eliotin, Seferin dhe Ezra Paund-in i kishte “transferuar” poshtë jastëkut.
Poezia e tij është në përgjithësi lirike, epigramatike. Mbizotërohet prej një vetëdije tragjike dhe prej pesimizmit. Në fund të karierës krijuese, i lodhur nga jeta, u dallua tek poezia e tij një farë kthese tek stili ironik, sulmues, fjalërëndë, me një fjalë u shndërrua në antipoezi.
Publiku grek e njeh edhe si piktor. Gjatë nëntorit dhe dhjetorit të 60-të biles, me shtysën e kritikes së artit dhe poetes Eleni Vakalo, hapi një ekspozitë pikture tek Galeria e njohur “Zigos”, duke korrur një sukses të madh.
E shoqja, Maria Dota, pas vdekjes së poetit, dhuroi shtëpinë e tij në Nea Ionia, ku u strehua institucioni kulturor “Takis Sinopulos”, që inkurajon dhe mbështet deri më sot krijuesit e rinj. Një statujë e poetit gjendet jashtë këtij institucioni. Por statujën më të madhe dhe të përhershmen ai e vendosi me veprën që shkroi në vetëdijen e njerëzve, që e adhuruan dhe vazhdojnë ta bëjnë.
(g.j. – 2023)
=======================
NËSE

Qysh në mëngjes era ç’gozhdon qiellin.
Qysh në mëngjes dielli tymos
midis rrënojave.
Nëse fytyra jote, fytyra mburojë. Dhe ajo re atje
dhe pejsazhi i vendit. Dhe sytë e tu ktheheshin
papritmas, nuk kishin vrarë ikonën që shikonin
pak më parë.
Nëqoftëse ishte dora jote.
Nëse sytë e tu.
Nëse fjala që bëre të thuash.
Pra, gjithë ditës era.
Gjithë natës hiri i i zjarrit tënd.

I DJEGURI

Shikoni! Hyri në zjarr! tha njeri nga turma.
Kthyem sytë shpejt. Ishte
vërtet ai që ktheu fytyrën, kur
i folëm. Dhe tani digjet. Por nuk kërkon ndihmë.
Përmbahem. Them të shkoj atje. Ta prek me dorën time.
Jam nga natyra i formuar të paragjykohem.
Kush është ky që buzëqesh krenar?
Trupi i tij njerëzor nuk dhemb?
Vendi këtu është i errët. Dhe i vështirë. Kam frikë.
Mos ngacmo zjarr të huaj, më thanë.
Por ai digjej i vetëm. I braktisur.
Dhe sa shkrihej, aq dhe i ndriçonte fytyra.
Bëhej diell.
Epokës sonë por edhe në të kaluarat,
të tjerë janë brenda zjarrit dhe të tjerë duartrokasin.
Poeti ndahet në dysh.

DRITARJA

Bllokuam dritaren, era frynte nga vendi i plehrave. Ç’morëm, ç’humbëm?
Duke ecur të heshtur mes këtyre të vështirave, viteve jo koherente.
Ekzistonte dhoma, kaq e zhveshur. Tek muri llamba, si ndriçonte
herë fytyrën, herë gënjeshtrën.
E kthyem kah epoka e kujtesës.
Vetëm një lumë i vogël, emri i tij i harruar mes heshtjes së rërës.
Mbyllëm dritaren. Dheu jashtë i shqetësuar dhe pema përçart
i flet gjysmës së hënës.
Brenda ëndrrës dilte, e rëndë dhe i frikshme, hëna e vërtetë.
===============================
Shqipëroi poezitë:
G. JOVANI
Athinë, mars 2023