Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në pallatin e brigadave deputetë të rinj dhe të vjetër, për të diskutuar për vizionin e mandatit të tretë qeverisës.

Rama: Duhet të jetë e qartë për të gjithë anëtarësinë por edhe për të gjithë ata që na kanë zgjedhur apo jo, se kushdo që e ka në ballë PS, ekspozohet para drejtësisë si përfitues, faji është i tij, por turpi është i gjithëve ne nëse nuk vendosim vijën e kuqe duke mos harruar për asnjë çast dhe duke bërë me dije menjëherë kur është nevoja se kjo skuadër nuk do të jetë kurrë as streha, as mburoja e askujt. Kjo familje nuk mban përgjegjësi pse një individ shkel mbi flamurin e saj, por mban përgjegjësi për sa drejt reagon ndaj individit në fjalë duke u distancuar prej aktit të tij dhe atij vetë kur në mes hyn vetë drejtësia.

Mandati i tretë do të jetë fazë përcaktuese për zhvillimin e vendit. Nuk do presim që SPAK të merret me çdo gjë, por të jemi hulumtues faktesh e provash duke i veshur një armaturë edhe me ligj të veçantë platformës bashkë qeverisëse dhe të ndërveprimit digjital brenda sistemit të institucioneve, agjencive dhe drejtorive të ekzekutivit, ne mund të nxjerrim në pah dhe në kohë reale të gjitha pikat ku ngecin, bllokohen.