Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka zhvilluar një intervistë me Euronews pak ditë pasi fitoi zgjedhjet ku ndër të tjera ka folur edhe për dialogun me Serbinë. Ai u shpreh se Serbia duhet që të përballet me të shkuarën.

Kurti ka thënë se është i gatshëm që të hyjë në një dialog ku sipas tij në përfundim do të ishin qytetarët ata që do të përfitonin. Fituesi i zgjedhjeve të 14 Shkurtit u shpreh se Serbia duhet të kërkojë falje të plotë, të njohë dhe të dëmshpërblejë Kosovën.

Sipas Kurtit, Serbia duhet ta çlirojë veten nga Kosova pasi kjo e fundit ka fituar pavarësinë. Ndër të tjera ai tha se Serbisë i duhet një Charles de Gaulle, i cili të pranojë Kosova është e pavarur.

Albin Kurti: Serbia duhet që të përballet me të shkuarën. Ata shkaktuan 4 luftëra me ish-Jugosllavinë dhe duket se nuk janë penduar. Është e rëndësishme që të ketë ndryshime në Serbi në mënyrën si e shikojnë Kosovën. Jam gati të hyj në një dialog ku njerëzit do të jenë ata që do të përfitojnë. Por mendoj se është e papranueshme nga çdo njeri në Kosovë, sigurisht duke më përfshirë edhe mua, që të hyjmë në një dialog ku ne supozohet të kompensojmë Serbinë për humbjet e këtij shteti gjatë kohës së Millosheviçit. Serbia kreu gjenocid në Kosovë. Nuk është e nevojshme që të lexojmë librat e historisë apo të pyesim gjyshërit. E përjetuam vetë këtë gjë. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të adresohet drejtësia e vonuar, e mohuar dhe e bazuar në të kaluarën në mënyrë që të kemi paqe, siguri, stabilitet dhe pajtim afatgjatë.

Doni akoma një falje të plotë, njohje dhe dëmshpërblim nga Serbia?

Albin Kurti: Mendoj se është e nevojshme. Çfarë do të përpiqet të bëjë tjetër Serbia, të mundohet dhe të na sulmojë sërish? Mendoj se ata duhet që të largohen prej Rusisë dhe Kinës dhe duhet të mundohen që ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur. Ata duhet që ta çlirojnë veten nga Kosova. Ne e çliruam Kosovën nga Serbia. Mendoj se Serbia duhet ta çlirojë veten nga Kosova.

Si mund ta arrini pajtimin mes serbëve dhe kosovarëve në Kosovë?

Albin Kurti: Pajtimi me serbët në Kosovë nuk është i nevojshme sepse ne nuk luftuam me ta. Luftuam kundër Beogradit, i cili ishte kundër nesh dhe kreu gjenocid në pranverën e vitit 1999 dhe kemi nevojë që Serbia të përballet me të shkuarën, ta shikojë vetën në pasqyrë në vend që të shikojë Kosovën me dylbi ushtarake. Duhet që të njohë pavarësinë dhe të tregojë pendesë për krimet e kryera nga regjimi. Mendoj se Serbia ka nevojë për një Charles de Gaulle serb i cili të thotë njësoj si De Gaulle se “Franca është e madhe pa Algjerinë”, edhe “Serbia është e madhe pa Kosovën”.

Albin Kurti u shpreh ndër të tjera se planifikon që të alokojë një fond për vaksinimin sapo të vijë në qeveri. Kosova nuk planifikon të marrë vaksina nga Serbia. Albin Kurti ka deklaruar se, drejtimi i Kosovës është drejt Perëndimit.

“Jo nuk do të marrim vaksina nga Serbia, e cila i merr vaksinat nga Rusia dhe Kina. Si në vlera dhe interesa drejtimi ynë është gjithmonë drejt Perëndimit”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, partitë politike do të votojnë qeverinë e re dhe Presidentin sepse nëse nuk ndodh kjo gjë do të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Nëse kjo ndodh, gjë që unë mendoj se nuk do të ndodhë, atëherë në raundin tjetër të zgjedhjeve mendoj se do të zhduken të gjitha bashkë”, tha Kurti.