Hetimi Prisma, që përfshin drejtuesit më të lartë të Juventusit, nën akuzë për bilanc fals dhe komunikime false të klubit në bursë, tani përqendrohet tek e famshmja “Karta Kristiano Ronaldo”, apo ndryshe dokumenti për të cilin flasin në një përgjim Federiko Kerubini, përgjegjësi aktual i merkatos bardhezi, dhe Çezare Gabazio, avokati i klubit.

Bëhet fjalë për një dokument, që hetuesit nuk kanë mundur ende ta gjejnë, edhe pse analiza e materialit të sekuestruar thuajse po përfundon. Në këtë situatë, Prokuroria po mendon që të marrë në pyetje Kristiano Ronaldon, ose avokatët e tij.

Kristiano Ronaldo, kur luante me Juventusin

Dokumenti nuk po gjendet, ndërkohë për përgjimin Kerubini-Gabazio hetuesit në raportin e tyre flasin përgjithësisht për “detyrime të prapambetura të futbollistit”. Prokurorisë i intereson më shumë si është mbyllur bilanci dhe jo nëse bëhet fjalë për pagat e prapambetura nga pandemia, apo një lloj marrëveshje për të lehtësuar kalimin e Ronaldos te Mançester Junajtid verën e kaluar.

Pavarësisht tre seancave për të dëgjuar dëshmitë deri tani, me një Juventus bashkëpunues, dokumenti fizik nuk ka dalë ende në dritë, ndaj dhe mundësitë janë të mëdha që Prokuroria të thërrasë CR7.

Gjithë dokumentacioni për çështjen e bilanceve të Juventusit do të kalojë në “rrezet x” për të kuptuar, nëse ka anomali apo jo.