Një skenarist i dëshpëruar për mungesën e frymëzimit në një kohë pandemie, mund të gjente këto ditë elementë për një film të përkryer në një ishull të vogël italian, ku prej javësh ndodhin një seri krimesh, për të cilët janë të dyshuar praktikisht të 200 banorët.

Bëhet fjalë për ishullin Kapraia, që ndodhet në arkipelagun e Elbës, një nga vendet më piktoreske të Toskanës, në Itali. Gjithmonë e veçuar, më afër Korsikës franceze sesa territorit italian. Një vend tradicionalisht i qetë, edhe kur ishulli njihej më shumë për burgun që ndodhej në aty, i mbyllur në 1986.

Tashmë ishulli i vogël është futur në itineraret turistike, dhe gjatë sezonit veror mund të mirëpresë edhe 4 mijë turistë në ditë, por gjatë dimrit mbeten vetëm banorët e përhershëm, jo më shumë se 200, praktikisht të izoluar nga fakti që nuk ka transport të rregullt me traget jashtë sezonit turistik.

Por prej javësh një seri vjedhjesh kanë filluar të godasin banorë të ndryshëm, si mësuesja e vetme, por edhe zëvendëskryetarin e bashkisë.

Sipas tre karabinierëve të ishullit, që po hetojnë ngjarjen, hajduti i njeh mirë viktimat, dhe përditshmërinë e tyre, duke i marrë sende me vlerë rreth 60 mijë euro. Por mister mbetet identiteti i personit, dhe ku ka fshehur një sasi aq të madhe dhe të çmuar sendesh. “Është dikush me të cilin pimë kafe përditë. Po nuk u kap fajtori, rrezikon të ndryshoj përgjithmonë besimi që kemi për njëri tjetrin në ishull”, thotë kryebashkiaku.