Një pjesë e anëtarëve të kryesisë së PD-së që përjashtuan 9 anëtarë të Komisionit të Rithemelimit dhe pezulluan 20 të tjerë deputetë dhe ish-deputetë përfshi Sali Berishën, kanë bërë publike arsyet e një vendimi të tillë

Kreshnik Çollaku është një prej tyre. “…Brenda vetes shpresoja, por po ashtu brenda vetes kisha përcaktuar një vijë të kuqe. Vija e kuqe do të ishte përdorimi i dhunës fizike.

Ajo që ndodhi në 8 janar ishte kalimi i kësaj vije të kuqe. Në 8 janar më vjen turp ta them dhe është mjerim se ish miq e bashkëpunëtorë tanë drejtuan një sulm fizik kundra nesh.

A e dini se brenda turmës në vijën e parë të mercenarëve të paguar që shqyenin dyert kanë qarkulluar lista me emra të vecantë deputetësh që duhet të linçoheshin fizikisht brenda godinës? Pra rrezik ka qënë jo vetëm godina por dhe jeta e disave këtu brenda…

Dhuna për mua është një kufi ndarës me këdo. Ndaj unë mendoj me këdo që nxiti apo përdori dhune ndaj nesh kolegëve e ish-miqve të tyre nuk ka çfarë na mban më bashkë. Në këtë parti dhunuesit dhe të dhunuarit nuk mund të rrinë më bashkë…

Ne nuk duhet të lejojmë kurrë që PD të kthehet në një bunker antiamerikan për çdo lloj arsyeje dhe me çdo lloj çmimi”, shkruan Çollaku.

Edhe Endri Hasa zbardhi qëndrimin e tij në kryesi: “S’mund të negocioj uljen në tryezë me ata që erdhën në PD për të na vrarë!”

“Do të ishte e vështirë për mua por edhe për të gjithë kolegët të përballeshim me vendime për përjashtimin apo pezullimin e funksionarëve apo ish-funksionarëve që kanë mbajtur detyra të rëndësishme në këtë parti. Por pas 8 Janarit, s’mund të fshihemi pas gishtit. Ne nuk mund të jemi përbashkues me ata që të fusin shkopinj nën rrota. Ata kanë sot për qëllim vetëm që të pengojnë axhendën tonë politike kundër qeverisë dhe rikthimin e PD ne pushtet. Pjesa më e madhe e anëtarëve të kryesisë ishin dëshmitarë okularë të asaj që ndodhi në 8 Janar. Ata erdhën për të na vrarë, dhe ne vazhdojmë të diskutojmë për tu ulur me të njëjtën tryezë dhe per te ndare vendimmarrje të përbashkët? Ata nuk mund dhe nuk duhet të jenë këtu. Ata erdhën të organizuar për të dhunuar dhe për të vrare, ne të mendohemi? Nuk bëhet politikë me dhunën, me 8 janar mjetet politike mbaruan! Ne 8 janar ishte vetëm një turmë banditësh që erdhi për të dhunuar… Kush erdhi për gjak, nuk mund të ketë vend në këtë parti, sot dhe kurrë…”, është shprehur Hasa

Ervin Salianji është shprehur se dhuna është e papranueshme dhe duhet të distancohet çdo përfaqësues i Partisë Demokratike. Por ndryshe nga anëtarët e tjerë të kryesisë që kanë qenë në kor me një qëndrim, Salianji ka vënë disa pika mbi “i”.

“…Gabimet e së shkuarës nuk duhet të përsëriten dhe PDSH duhet të jetë forcë që udhëheq dhe tërheq pjesën e shoqërisë që përditë e më shumë po zhgënjehet nga politika, ju duhet të bëni diferencën me gjithçka që keni bërë gabim në 8 vitet e bashkëdrejtimit të perceptuar. Personalisht isha dhe jam për mosvendosjen as të hekurave, as të betejës për godinë, nuk e marrin dot godinën dhe as marrin dot legjitimitet prej saj sado rrotull të vijnë, ashtu siç hyjnë dalin sepse ligji është kufiri dhe jo sjellja tribale dhe as zaptimi!

Dalja në terren dhe kontakti me demokratët duhet të ishte i shpeshtë në këto muaj, madje dhe zëvendësimi i kujtdo që nuk ka më peshë elektorale ose është i papranueshëm për demokratët apo qytetarët në zonat që mbulojnë, ne kemi tentuar të imponojmë politikanë të diskredituar që populli i ka refuzuar me votë disa herë! Merita duhet të kthehet në themel të kësaj force”, është shprehur Salianji.

Edhe Grida Duma kërkoi veprime konkrete: “Sot mendoj që gjërat duhen thënë hapur. Po, ne jemi kompleksuar!!. Kompleks kudo, veprojmë vonë, marrim vendime vonë, jemi të vonuar të flasim troç me njerëzit, e lëmë kundërshtarin të ecë një hap përpara.

Sa i përket godinës, nuk mundemi ne ta bëjmë betejën për godinën si lufte guerrilie. Asnjë kompleks nuk mund të kesh të kërkosh policinë të veprojë. Si mundet në të pretendojmë që do mbrohet godina e partisë me hekura blinda dhe hunj dhe të kompleksohemi që të veprojnë institucionet. Po duhet të veprojë policia dhe sepse ndërhyri policia u evitua gjakderdhje, tí themi gjërat sic janë. Për pak minuta mund të kishte gjak, dhe gjakun po presin disa dhe ne e dimë mirë.

Por institucioni mbrohet me institucion dhe jo trupa njerëzish që bëhen therror. Unë nuk mbroj dot hekurat e blindimit, dhe nëse është çështja për një zyrë të vogël që përdor aty poshtë, çdo demokrat të vijë ta ;përdorë si të vetën përditë.

Godina e PD duhet të ç’mitizohet. Le të hapet godina dhe për simbolikë të mbrohet zyra juaj, si institucioni i kryetarit. Duhet të bëjmë opozitë e politikë, jo guerrilie për të mbrojt godinën. Siç e patë nuk hyri njeri brenda të nesërmen kur e kishin të shkatërruar të thyer, as guxuan të hyjnë e të merrnin zyrën kur vinin e bënin shoë tek shkallët disa herë.

S’mund të na mbajë peng me këto komplekse askush!

Pas asaj që ndodhi duhet të shkojmë në terren para demokratëve me urgjencë dhe me një ofertë të re. Duhen ndryshime të tjera në parti. Nëse është e nevojshme duhen ripozicionuar njerëzit, e kush ka bërë betejë të jetë në krye të punëve dhe të ndjekim vetëm meritën e njerëzve jo më thjeshtë procedurat…”