Vendet për në Botëror do të jenë 32, për herë të fundit para zgjerimit në 48 skuadra në 2026-ën. Në garë janë 221 kombëtare që synojnë të fitojnë një biletë për në Botërorin e parë në histori që do të zhvillohet mes nëntorit dhe dhjetorit të vitit të ardhshëm në Katar.

Sot nis rrugëtimi i kombëtareve europiane drejt Katarit, në disa kontinente ndeshjet kanë nisur para kohe. Shqipëria bën pjesë në Grupin I, bashkë me Anglinë, Poloninë, Hungarinë, Andorrën dhe San Marinon. Janë një sërë rregullash dhe mekanizmash të ndryshëm nga 6 konfederatat kontinentale deri në fazën finale të kompeticionit. Ja dhe guida e plotë për kombëtaret e çdo kontinenti.

Nga shorti i kualifikueseve për “Katar 2021”

EUROPA — 55 kombëtaret që janë pjesë e UEFA-s, dhjetorin e kaluar u ndanë në 10 grupe, me nga 5 dhe 6 skuadra. Sot nisin ndeshjet e para dhe në program deri në fund të muajit janë 3 sfidat e para për çdo grup. Faza kualifikuese mbyllet në mes të nëntorit dhe vetëm vendet e para e kanë të sigurt biletën, kurse vendet e dyta duhet të kalojnë një tur të dyfishtë “play-off”-i.

10 skuadrave të dyta do t’u shtohen edhe 2 skuadrat më të mira të Ligës së Kombeve, që në grupin e tyre kualifikues të Botërorit do të jenë në vend të tretë e poshtë. Këto 12 skuadra do të përballen me një tur të dyfishtë me eliminim direkt dhe 3 prej tyre do të kompletojnë kontingjentin europian në Katar. Vendi organizator është shtuar jashtë numrit në grupin e Portugalisë, në mënyrë që të luajë ndeshje miqësore me kundërshtarë europianë. Kuptohet që rezultatet e Katarit nuk llogariten në klasifikim.

Shqipëria duke festuar një gol

AMERIKA E JUGUT – Konmebol-it nuk i pëlqen të bëjë ndryshime dhe nuk do të kishte sens, duke parë numrin e reduktuar të federatave që e përbëjnë. 10 kombëtaret poshtë Kanalit të Panamasë e kanë nisur rrugëtimin në grupin e madh të tyre, ku luhet me sistemin vajtje-ardhje. Pas 4 ndeshjeve të para udhëheq Brazili me pikë të plota, e dyta është Argjentina.

Renditja finale do të dekretojë 4 skuadrat e kualifikuara direkt për në Katar, vendi i 5-të duhet të luajë ndeshje shtesë me një kundërshtar nga një konfederatë tjetër, varet nga shorti. Konmebol-i i ka pezulluar ndeshjet këto 10 ditë për shkak të numrit të lartë të të infektuarve nga Koronavirusi, që e ka komplikuar situatën në nivelin logjistik.

Brazili, ekipi kryesues në Amerikën e Jugut

AMERIKA E VERIUT – Konkakaf-i e nis fazën kualifikuese me 35 kombëtare, me 5 më të mirat në renditje (Kosta Rika, Xhamajka, Hondurasi, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës), që hyjnë në lojë në fazën e tretë. 30 të tjerat janë ndarë në 6 grupe me nga 5 skuadra dhe luajnë vetëm një ndeshje mes tyre. Vetëm 6 të parat kalojnë në fazën tjetër, por nuk mjafton vetëm kaq.

Ato do të luajnë 3 sfida eliminatore, që i lejojnë t’u bashkohen 5 skuadrave big në fazën finale, pas së cilës vetëm 3 shkojnë në Katar, e 4-ta bën ndeshjes shtesë. Ashtu si në Europë, rrugëtimi nis sot me një ndeshje për çdo grupim. Kombëtarja e Saint Lucia është tërhequr dhe grupi i saj ka një skuadër më pak.

AZIA – Ndeshja e parë kualifikuese në këtë kontinent është luajtur më 6 qershor 2019 mes Bhutanit dhe Guamit, që bëjnë pjesë mes 12 skuadrave me renditjen më të keqe të AFC. Janë eliminuar tashmë 6 skuadra, mes tyre edhe Makao, që humbi në tavolinë, pasi refuzoi të shkonte në Sri Lanka për shkak të frikës nga sulmet terroriste. 40 skuadrat e mbetura janë ndarë në 8 grupe me nga 5 dhe tani janë gati në mes të fazës që luhet me sistemin vajtje-ardhje.

Vendet e para të çdo grupi dhe 4 të dytat më të mira do të formojnë në fund 2 grupe finale me nga 6 skuadra secili. Më pas, 2 të parat e çdo grupi shkojnë në Botëror, vendet e treta do të kryqëzohen në ndeshjet shtesë, sipas shortit. Katari është i kualifikuar si vendi pritës, por merr pjesë në këtë rrugëtim, pasi vlen edhe për Kupën e Azisë 2023.

Nga një ndeshjes mes Bregut të Fildishtë dhe Ganës

AFRIKA — Edhe rrugëtimi i CAF ka nisur që në 2019-ën, me një tur me eliminim mes 28 skuadrave më të dobëta të kontinentit. Fitueset u janë bashkuar 26 më të mirave dhe në total janë 40 skuadra të ndara në 10 grupe me nga 4. Fitueset e grupeve do të përballen në ndeshje me eliminim direkt për 5 vendet e rezervuara për Afrikën në Botëror.

Në këtë “dritare” të rezervuar për kombëtaret, CAF është impenjuar për kualifikueset e Kupës së Afrikës, për Botërorin do të flitet në maj. Vëmendja është në grupet me 2 skuadra big: Bregu i Fildishtë dhe Kameruni, apo dhe Gana dhe Afrika e Jugut. Vendet nuk mjaftojnë për të gjithë.

OQEANIA — Guida mbyllet me OFC, të vetmen konfederatë që jo vetëm nuk ka nisur me ndeshjet, por as nuk ka përcaktuar mënyrën e kualifikimit. Arsyeja ka të bëjë me pandeminë, aq më tepër që bëhet fjalë vetëm për 11 kombëtare, që kanë një vend me anë të ndeshjes shtesë. Përvoja e kaluar flet për 2 grupe, njëri me 6 skuadra dhe tjetri me 5. Dy fitueset ndeshen mes tyre për atë që shkon në ndeshje shtesë dhe favorite absolute është Zelanda e Re.