Ronaldo “shpëton” Pirlon dhe Juven: ky ishte thelbi i analizave të mediave italiane pas barazimit të bardhezinjve në fushën e Romës. Kërcimi i mrekullueshëm në rastin e golit të dytë ngjason me golin që shënoi sezonin e kaluar kundër Sampdorias në “Marassi”.

Portugezi vendosi firmën e tij si golashënues për herë të tretë në dy javët e para të kampionatit. Është i vetmi me 3 gola, pas tij janë 7 futbollistë me nga dy finalizime. Janë thjesht numra, por që shpesh shpjegojnë se sa madhështor është një lojtar. Numrat e  CR7 flasin vetë.

Numrat

Ronaldo ka arritur kuotën rekord prej 450 golash të shënuar në pesë ligat kryesore evropiane që nga viti 2003/2004, që shënon debutimin e tij me Manchester United. Është hera e katërt në karrierën e tij që shënon në dy ndeshjet e para të kampionatit (2009, 2001, 2014 dhe 2020). Më parë ia kishte dalë të realizonte në dy sfidat e para kur luante me Real Madridin.

Pesha tek Juvja

Se sa peshon prania e tij tek Juvja, vërtetohet nga dy të dhëna. Që kur ka mbërritur në Torino, në fakt, fenomeni nga Funchal ka marrë pjesë aktivisht në 69 gola të Serisë A (55 gola dhe 14 asistime), të paktën 43 më shumë se çdo lojtar tjetër i Juventusit. Në pak më shumë se dy vjet, që kur zbarkoi në Itali, është lojtari që ka shënuar më shumë gola (55), 7 prej të cilëve me kokë. Dhe përsëri nuk është i kënaqur. “Nuk ishte rezultati që donim, por me shpirtin ekipor do të bëhemi më të fortë se kurrë”, – shkroi ai në Instagram pas dygolëshit ndaj Romës.

“Me Pirlon dëfrehemi”

“Pasi shkuam në disavantazh, e dinim që ndeshja do të ishte e vështirë, por në fund morën një pikë të rëndësishme. Jemi në fillim të kampionatit, me një trajner të ri. Shoh një skuadër aktive, po bëjmë mirë. Shoh një të ardhme shumë pozitive”, tha Ronaldo pas ndeshjes.

Kampionat me rivalitet: “Mendoj se Seria A është forcuar shumë, nga Interi, Milani e deri te ne. Është një është një kampionat më i vështirë se vitin e kaluar”.

Juvja e Pirlos: “Është shumë herët, por unë e shoh ekipin shumë më mirë, më të lumtur dhe duke punuar i qeshur. Kjo është shumë e rëndësishme”, përfundoi CR7.