Teksa në të gjithë botën kompani të ndryshme po testojnë tek njerëzit vaksinën anti-Covid, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se asnjëra prej tyre nuk do miratohet nëse nuk ka efektivitet.

Tedros Adhanom, kreu i OBSH, u shpreh se vaksinat janë përdorur me sukses për dekada, por Covid-19 ka një natyrë tjetër pasi ende mbetet misterioze mënyra sesi u përhap prandaj edhe kura është shumë e vështirë për t’u gjetur.

“Çdo vaksinë ka historikun e saj. Sot po përjetojmë një periudhë shumë të vështirë ku askush nuk e di se kur do të përfundojë e gjithë kjo krizë. Prandaj sugjeroj që asnjë vend të mos nxitohet për të nxjerr një kurë e cila pas disa muajsh mund të mos japi asnjë rezultat pozitiv”.

Sipas Tedros, nacionalizmi që po krijohet në të gjithë botën aktualisht nuk ka për ta ndalur kurrë pandeminë.

“Me kalimin e kohës, ndërsa prodhimi rritet, ne duam që të gjithë njerëzit të kenë qasje në vaksina. Por fillimisht, kur furnizimi është i kufizuar, përparësi duhet t’i jepet vaksinimit të personave më të rrezikuar  përfshirë njerëzit e moshuar dhe ata të shtresës së varfër”.

Deri më tani, 78 vende që janë me ekonomi me të ardhura të larta dhe të mesme kanë konfirmuar bashkëpunimin me COVAX. Aktualisht vetëm 9 vaksina janë duke u zhvilluar ndërsa vetëm 4 prej tyre kanë avancuar.

Një ditë më pare, vaksina COVID-19 e Rusisë “Sputnik-V” prodhoi antitrupa tek të gjithë pjesëmarrësit në provat e fazës së hershme.

Rezultatet e dy provave, të kryera në Qershor-Korrik të këtij viti dhe që përfshinë 76 pjesëmarrës, treguan 100% të pjesëmarrësve që zhvillonin antitrupa ndaj koronavirusit të ri dhe pa efekte anësore serioze.

Disa ekspertë perëndimorë kanë paralajmëruar kundër përdorimit të tij derisa të merren të gjitha hapat e testimit dhe rregullimit të miratuar ndërkombëtarisht.