Varianti i ri i koronavirusit i zbuluar në Britani të Madhe nuk është jashtë kontrollit tha të hënën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) pasi sipas saj mund ta frenojmë duke përdorur masat ekzistuese kundër pandemisë.

“Ne kemi pasur një normë shumë më të lartë të përhapjes në periudha të ndryshme në këtë pandemi dhe e kemi vënë atë nën kontroll”, tha shefi i urgjencave i OBSH-së, Majkëll Rajan në një konferencë për shtyp.

“Në këtë kuptim, kjo situatë nuk është jashtë kontrollit. Por, nuk mund të lihet anash”, shtoi ai.

Sekretari i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, Matt Hancock, tha se lloji i sapo identifikuar i virusit ishte “jashtë kontrollit”.

Një numër në rritje i shteteve evropiane kanë ndaluar udhëtimin nga Britania e Madhe, si përpjekje për të ndaluar një lloj të ri të koronavirusit, i shfaqur në Britani, që të përhapet dhe më shumë.

Të shtunën, kryeministri britanik Johnson tha se nuk kishte “asnjë provë” që varianti i ri “shkakton sëmundje më të rëndë ose vdekshmëri më të lartë” por “duket se kalon shumë më lehtë”.

Ai shtoi se lloji i ri mund të jetë deri në 70 përqind më i transmetueshëm se varianti i vjetër i virusit.