Përmes një letre publikuar në gazetën malazeze “Dan”, kryeministri Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ftuan Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje – Hercegovinën të bëhen pjesë e Open Balkan, që konsiderojnë si vizion për tejkalimin e pengesave sociale, ekonomike dhe tregtare që ngadalësojnë rritjen ekonomike të rajonit nëpërmjet zbatimit të katër lirive themelore të BE-së.

“Shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ftojmë edhe një herë të gjithë fqinjët tanë të bashkohen për t’u ofruar qytetarëve të tyre dobitë që ne u ofrojmë qytetarëve tanë. Nëpërmjet lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve, bashkëpunimi ynë mund të nxisë tregtinë dhe rritjen ekonomike për ta bërë jetën më të lehtë për gjithsecilin prej nesh. Të akuzuar shpesh si “fuçia e barutit” e Europës, ne si udhëheqës përgjegjës nuk mund të lejojmë që rajoni ynë të kthehet përsëri në makthet e së kaluarës, ndërkohë që BE-ja nuk është në gjendje të bëjë më shumë për zgjerimin në këtë faze që është”.

Në vijim të letrës nënvizohen më fort dozat e dyshimit mbi vullnetin e Bashkimit Europian për ta parë Ballkanin Perëndimor pjesë të tij një të ardhme të afërt.

“Europa nuk është thjesht një kontinent, por një vizion. Megjithatë, për një kohë të gjatë, qytetarët e Ballkanit Perëndimor si pjesë integrale e kontinentit dhe e këtij vizioni, janë lënë jashtë. Dëshira e popullit tonë për t’u bërë pjesë e familjes së BE është shpërfillur herë pas here për shkak të politikës së brendshme të vendeve anëtare, mungesa e realizimit të premtimeve të bëra si dhe frika nga e ardhmja. Kjo ka sjellë zhgënjim, paqëndrueshmëri, emigracion dhe mungesë investimesh të mëdha. Ne, si udhëheqës të vendeve tona mund të vendosim të rrimë e të qahemi apo të veprojmë. Ne zgjodhëm këtë të fundit”.

Nuk biem dakord për çështjet politike, por të gjithë e pranojmë se ekonomia dhe katër liritë themelore të BE-së janë mënyra më e mirë për t’i dhënë rajonit tonë shpresë për një paqe afatgjatë, thuhet më tej në letër, duke shprehur besimin se “Ballkani i Hapur” do të mbahet mend si momenti që i afroi kombet tona më pranë Bashkimit Evropian dhe drejt anëtarësimit të plotë në bllokun më të madh tregtar në botë, ashtu si dikur Komuniteti i Qymyrit dhe Çelikut parapriu lindjen e Bashkimit Evropian pasluftës së Dytë Botërore. Në kët rast Rama, Vuçiç, Zaev i bëjnë thirrje Bashkimit Europian që ta mbështesin nismën duke mohuar që ajo i bën hije procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal.