Tregu i komunikimeve të lëvizshme ka hyrë në një fazë të re të ashpërsimit të konkurrencës mes tre operatorëve pjesëmarrës.

Koncepti më i ri që po promovohet me bujë duke filluar që nga ky muaj nga të tre operatorët njëkohësisht është ai unlimited (pa limit).

Promocioni i operatorëve i prezanton këto plane si produkte që mundësojnë thirrje zanore, mesazhe të shkruara dhe internet pa limit, kundrejt një pagese mujore fikse. Megjithatë, përtej asaj që thonë sloganet e reklamave, në praktikë këto plane kanë limitet e tyre, të lidhura kryesisht me ato që quhen politika të përdorimit të drejtë.

Duke filluar nga data 17 shtator, Vodafone Albania ofron planin Vodafone Unlimited, që ofron minuta, sms dhe internet pa limit kundrejt një pagese mujore prej 2500 lekësh në muaj. Por, në përshkrimin e produktit saktësohet se komunikimi pa limit është i kufizuar nga termat e përdorimit të drejtë. Kështu, minutat pa limit realisht kanë një limit prej 4 mijë minutash, 1 mijë SMS dhe 200 Gb internet me shpejtësi të lartë, pas të cilit lundrimi ofrohet me shpejtësi të reduktuar.

Një plan të ngjashëm e ofron Albtelecom Mobile. Plani i quajtur Super Smart, ofron minuta, sms brenda rrjetit dhe internet pa limit; por, edhe në këtë rast te njësitë pa limit aplikohet politika e përdorimit të drejtë, që konsiston në një tavan prej 4 mijë minuta dhe sms në muaj. Për internetin me shpejtësi të lartë politika e përdorimit të drejtë të Albtelecom përcakton një kufi prej 40 GB, pas të cilave shpejtësia e lundrimit redutohet në nivele minimale.

Operatori ONE ofron dy plane Ultra Unlimited, përkatësisht 50 dhe 150, ku minutat, SMS-të kombëtare dhe internet reklamat pa limit. Megjithatë, edhe në këtë rast konceptimi pa limit është relativ: përdorimi i drejtë parashikon deri në 10 mijë minuat dhe 3 mijë SMS. Përtej këtij konsumi, do të aplikohen tarifat standarde për abonentët me kontratë. Për sa i takon internetit, ONE ka përcaktuar një limit ditor prej 50 Gb. Gjithashtu, pas tre muajve të parë, shpejtësia e internetit do të ketë një kufizim përkatësisht në 50 Mbps dhe 150 Mbps, sipas planit. Çmimet e paketave, përkatësisht 1800 dhe 2400 lekë në muaj, janë të vlefshme për një periudhë promocionale 3-mujore.

Pavarësisht se planet e mësipërme ofrojnë sasi të mëdha të njësive të komunikimit, që do të përmbushnin nevojat e pjesës dërrmuese të përdororuesve, emërtimi “pa limit” nuk është plotësisht korrekt.

Konkurrenca në tregun me pakicë të telefonisë celulare është “ndezur” sidomos pas shitjes së Telekom Albania dhe riemërtimit të këtij operatori në ONE. ONE po fiton gradualisht terren dhe e ka rritur pjesën e tregut sipas numrit të abonentëve.

Kjo e ka “rizgjuar” operatorin më të madh Vodafone Albania, ndërsa edhe Albtelecom po tenton të mbajë hapin e konkurrencës. Konkurrenca në rritje për momentin po shkon në përfitim të konsumatorëve, që po joshen me gjithnjë e më shumë njësi komunikimi kundrejt pagesave fikse mujore me kontratat ose parapagim. Megjithatë, kjo ka ngjallur edhe akuza të ndërsjellta mes operatorëve për konkurrencë të pandershme, nëpërmjet ofrimit të produkteve nën kosto.

Sipas Autoritetit të Komunikimev Elektronike dhe Postare (AKEP), aplikimi i fushatave promocionale agresive, kryesisht për portimin e numrit nga njëri operator tek tjetri, duke ofruar paketa me përmbajtje dhe çmim preferencial, në një periudhë afatshkurtër prodhon efekte pozitive për konsumatorët, por mund të sjellë pasoja të rënda për konkurrencën në afatin e gjatë.

Kjo praktikë vë në vështirësi sipërmarrësit që konkurrojnë në këtë treg, kryesisht sipërmarrësit me pjesën më të vogël duke ulur kapacitet financiare për rritjen e investimeve në rrjet. AKEP nënkupton se çmimet grabitqare mund të jenë një mekanizëm i abuzimit me fuqinë e tregut nga operatorët më të mëdhenj, me qëllim nxjerrjen jashtë tregut të operatorëve më të vegjël. /E.Shehu