Të gjithë prisnin një ndeshje të lehtë për Shqipërinë mbrëmjen e sotme ndaj Lituanisë në “Air Albania”, madje më optimistët kishin parashikuar edhe një triumf me goleadë, por kuqezinjtë zhgënjyen tërësisht dhe u mposhtën me rezultatin minimal 0-1.

Vetëm tre ditë pas fitores Minsk ndaj Bjellorusisë, kuqezinjtë gabojnë gjithçka, duke nisur nga trajneri Reja me formacionin, ku kishte hedhur tre mesfushorë shkatërrues, për të çarë një kundërshtar që dihej se do të mbrohej me forca të shumta.

Nga ana tjetër trajneri lituanez e kishte studiuar në perfeksion lojën e Shqipërisë dhe kishte dhënë porosi të veçanta për markim të rreptë ndaj Gjasulës, i vetmi futbollist në fushë që mund të bënte diçka për organizimin e lojës.

Shqipëria në fushë ishte pa dëshirë dhe ide për të luajtur, ndërsa Lituania filloi të fitojë siguri dhe besim me kalimin e minutave dhe në të paktën dy momente i shkuan pranë golit, por hasën në pritjet vendimtare të Strakoshës.

Nga ana tjetër kuqezinjtë nuk bënë thuajse asgjë në pjesën e parë.

Pjesa e dytë nisi njësoj siç mbaroi e para, me Rejën që nuk kishte marrë guximin t’i ndryshonte asgjë një skuadre që për 45 minuta kishte bërë një futboll pa ide, ndërsa pas vetëm pak minutash vjen edhe rasti që vendosi fatin e ndeshjes.

Pas një aksioni të tanëve, Gjasula ktheu më lehtë se duhet një top te portieri Strakosha dhe nga kjo përfitoi sulmuesi lituan Kazlauskas, që dribloi edhe gardianin kuqezi dhe me portën e boshatisur dërgoi sferën në rrjetë, pavarësisht përpjekjes së Hysajt për të shmangur golin.

Lodhja ishte e dukshme mes lojtarëve të përfaqësueses sonë dhe as zëvendësimet e trajnerit Reja nuk sollën freski. Në fund të takimit, kapiteni Elseid Hysaj u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë me 10 lojtarë Shqipërinë. Deri në fund asgjë për t’u shënuar dhe lituanët festuan një tre pikësh tërësisht të merituar.

Në Grupin 4 të Ligës C, Shqipëria, Lituania, Bjellorusia dhe Kazakistani kanë nga 3 pikë secila, duke lënë gjithçka të hapur për vendin e parë të grupit.