Bashkë me 2021 kanë hyrë në fuqi duke filluar prej 1 janarit edhe disa vendime, që Qeveria thotë se do të ndihmojnë ekonominë dhe qytetarët në këtë periudhë të vështirë të shkaktuar nga pandemia, ndërsa opozita dhe një pjesë e ekspertëve i qortojnë si vendime të sforcuara elektorale.

Bëhet fjalë për rritjen e pagës minimale në 30 mijë lek, heqjen nga skemat e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të biznesit me qarkullim vjetor deri në 10 mln lek, heqja e tatim-fitimit për bizneset me xhiro vjetore deri në 14 mln lek dhe fiskalizimi digjital.

Në lidhje me pagën minimale, ajo rritet nga 26 mijë në 30 mijë lek. Kjo do të thotë se prej hyrjes në fuqi të këtij vendimi asnjë persona i punësuar në shtet, apo në privat nuk mund të paguhet më pak se kjo shifër.

Qeveria thotë se ky vendim mundësohet tashmë falë reformave ekonomike strukturore të ndërmarrë ndër vite. Por, Partia Demokratike dhe një pjesë e ekspertëve shprehen skeptikë. Opozita e cilëson vendim elektoral dhe se nuk mund të rriten pagat me vendime të Këshillit të Ministrave, por përmes zhvillimit ekonomik. Sipas PD-së, ekonomia sot është në krizë të thellë për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë, mungesës së ndihmës financiare për bizneset dhe qytetarët dhe korrupsionit me tenderat.

Nga ana tjetër, ekspertët kanë paralajmëruar se një vendim i tillë mund të nxisë rritjen e papunësisë në vend, pasi bizneset e prekura nga kriza e Covid mund të detyrohen që për të zbatuar këtë vendim të Qeverisë të shkurtojnë numrin e punonjësve.

Heqja e TVSH-së për biznesin e vogël është mirëpritur. Në total përllogariten mbi 40 mijë biznese që dalin nga skema e deklarimit të detyrueshëm të TVSH-së, disa muaj pasi Qeveria përfshiu në këtë skemë bizneset me qarkullim vjetor 2 mln lek e më shumë. Sa i takon heqjes së tatimit të fitimit, paralajmërohet se efektet pozitive të këtij vendimi pritet që të jenë minimale.

Vendimi tjetër është ai i fiskalizimit digjital. Qeveria ka vendosur reformimin e këtij sistemi duke zëvendësuar gradualisht kasat fiskale me programe kompjuterike, përmes të cilave bizneset do të raportojnë në kohë reale tek tatimet. Qeveria thotë se kostoja e këtij shërbimi është minimale, por Partia Demokratike deklaron se ajo shkon deri në 2 mijë euro në vit për biznesin e vogël.