Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me riaktivizimin e përpjekjeve të qeverisë për të miratuar ligjin anti-shpifje. Sipas Metës kjo gjë bëhet në mungesë transparence dhe pa marrë parasysh Komisionin e Venecias. Meta ka risjellë në vëmendje edhe 5 pikat me të cilat ligji bie në kundërshtim.

“Parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit;

Dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit;

Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim;

Nuk janë në harmoni me standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut;

Nuk janë në harmoni me jurisprudencën e Gjykatës Europianë të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ)”, thotë Meta.

Ai i bën thirrje qeverisë dhe Kuvendit që të tërhiqen nga “modeli i neveritshëm Lukashenko për censurën në media”. Meta shpreh solidaritetin me të gjithë gazetarët dhe shton se liria dhe pavarësia e medias është një nga kushtet kryesore të Bashkimit Europian.