Pallati Mbretëror “Buckingham” thyen heshtjen pas ditëve të mbushura me furtunë mediatike. Në një deklaratë zyrtare thuhet se “shqetësimet racore të ngritura nga Harry dhe Meghan janë shqetësuese” dhe konfirmohet se kjo çështje do të adresohet nga familja mbretërore, por në mënyrë private.

Në deklaratë, Buckingham Palace, thotë se “kujtimet mund të ndryshojnë” por çështjet trajtohen shumë seriozisht. Mbretëresha Elizabet dhe e gjithë familja shprehet e pikëlluar për traumat që ka përjetuar Harry dhe Meghan dhe u shprehin mbështetje bashkë me djalin e tyre Archie.

Disa ditë më parë ish-çifti mbretëror bashkëbisedoi me figurën e njohur mediatike, Oprah Winfrey, duke dhënë deklarata mjaft të rënda lidhur me përjetimet e tyre në Pallatin Mbretëror në Britani të Madhe. Në atë që konsiderohet si intervista e shekullit, çifti që braktisi detyrat mbretërore 1 vit më parë duke u larguar drejt Los Anxhelosit, foli për racizëm, probleme mendore, sulmet e mediave dhe pjesëtarë të tjerë të familjes gjatë intervistës. Meghan, e para pjesëtare me racë të përzier ne rangjet e monarkisë moderne britanike, tha se pika më e ulët erdhi kur Herry u pyet nga një pjesëtar i paidentifikuar i familjes sesa e errët mund të ishte ngjyra e lëkurës e djalit të tyre Archie.

Djali më i vogël i Princeshës Diana dhe princit Charles, sqaroi më vonë se komentet nuk ishin bërë as nga mbretëresha e as nga bashkëshorti i saj, duka i Edinburgut. Opinionistja mbretërore dhe biografja Penny Junior i hodhi poshtë pretendimet për racizëm.

PennyJunior Kam shkruar për këtë familje dhe i kam ndjekur për 40 vjet, dhe kurrë nuk nuk kam vërejtur ndonjë grimcë racizmi. Bëhet fjalë për një familje që është binjakëzuar me Commonwealth. Nuk kam parë kurrë racizëm dhe prandaj komentet më duken të vështira për t’u kapërdirë”.

Në intervistë Meghan Markle tha se jeta mbretërore bëhej aq e vështirë ndonjëherë sa kishte menduar të vetëvritej. Ajo rrëfeu se kishte kërkuar ndihmë, por nuk e kishte marrë atë. Lideri i laburistëve Sir Keir Starmer tha se pohimet e Meghan për racizmin dhe mungesën e mbështetjes për problemet mendore duhet të merren shumë seriozisht. Kryeministri Boris Johnson refuzoi të komentonte por tha se vlerësonte maksimalisht mbretëreshën dhe rolin unifikues të saj.