Partitë politike në Kuvend kanë rënë sot dakord që ta bëjnë të detyrueshëm vaksinën për deputetët e tyre në seancat plenare. Lajmi u bë me dije nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili tha se e kishte propozuar ai këtë vendim dhe se për këtë kishte gjetur mirëkuptim nga grupet e tjera.

“Ramë dakord për vaksinimin e detyrueshëm të të gjithë deputetëve të Kuvendit, e kam propozuar këtë në konferencën e kryetarëve,” – tha Balla për gazetarët.

I pyetur për afatet, Balla tha se kjo përcaktohet nga ekspertët. Kryetari i grupit parlamentar socialist tha se situata e pandemisë mbetet shqetësuese dhe se për të ndërgjegjësuar qytetarët që të vaksinohet, Kuvendi duhet të japë shembull.

“Ky është një mesazh shumë i mirë që jep Kuvendi sot për qytetarët, është e vetmja mënyrë që të ulim incidencën e pandemisë, i drejtohemi edhe studentëve në kushtet ku i afrohemi vitit universitar,” – tha Balla.

“Nëse të gjithë i respektojnë rregullat atëherë situata mund të vihet në kontroll,” – shtoi Balla.

Gjatë seancës së sotme parlamentare, ku u caktuan Komisionet e përhershme të Kuvendit, opozita kundërshtoi praktikën e mbajtjes së tyre me video-konferenca dhe jo mbledhje në salla.

Balla tha se u ra dakord që për seanca të rëndësishme dhe që kërkon diskutime të gjera, ato do të mbahen në salla, ndërsa në rend të zakonshëm do të vijohen online.