Trajneri i Ukrainës, ish-Topi i Artë Andri Shevchenko, nuk duket se e ka përjetuar keq humbjen 3-2 ndaj Holandës, në ndeshjen e parë të grupit C në kampionatin europian.

Për ukrainasin, “ishte një ndeshje e shpejtë dhe shumë interesante me raste të shumta nga të dyja ekipet. Dua të falënderoj ekipin tim për reagimin që treguan, pasi shkuam dy gola në dizavantazh dhe mund ta kishim mbyllur sfidën aty. Por gjetëm energji për të ndryshuar rrjedhën e lojës dhe për të sulmuar, ndryshuam pak ekipin dhe gjetëm balancat” .

Ndërkohë Frank De Boer, në ndeshjen e ti të parë si trajner në një turne kaq prestigjioz, pranon presionet para ndeshjes, si pasojë e kritikave për lojën e kombëtares “portokalli”.

“Presioni ka qenë i madh, por të fillosh me një fitore jep shumë kurajë. Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, ishte një fitore e vështirë, por mendoj se ishte e merituar, edhe pse shpresojmë të korrigjojmë gabimet në dy golat e pësuar”, deklaroi tekniku holandez.