Edhe pse 104 deputetë vendosën pro shkarkimit të Presidentit, Ilir Meta vijoi aktivitetin e tij si kryetar i shtetit. Ai dha mesazhin e tij në emër të popullit shqiptar në aktivitetin e mëngjesit të lutjeve të organizuar këtë vit në Jeruzalem.

“Shqiptarët janë krenarë që kanë qëndruar pranë dhe në krah të popullit hebre gjatë periudhës së errët të Luftës së Dytë Botërore, duke sakrifikuar jetën e tyre për të mbrojtur familjet hebreje, që ishin të strehuara në vendin tonë”, u shpreh Meta.

Edhe vetë mazhoranca socialiste ka ende nevojë për firmën e Ilir Metës si President, pavarësisht se votoi pro shkarkimit. Komisionet parlamentare miratuan tre akte normative për sigurimin e vaksinave anticovid dhe lehtësimin e masave shtrënguese.

Kushtetuta parashikon se ligjet që miraton Parlamenti, përpara se sa të hyjnë në fuqi, duhet të shqyrtohen nga Presidenti i Republikës, i cili ka të drejtë edhe t’i kthejë për rishqyrtim.

Ndonëse politikisht shumica ka mbaruar punë me Presidentin, puna e Presidentit vazhdon. Nga ana tjetër, është Ilir Meta që ka një strategji të re që pas zgjedhjeve të 25 prillit në marrëdhëniet me Parlamentin, të cilit nuk i ka firmosur më asnjë akt, duke i lënë të kalojnë në heshtje.