Sri Lanka ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt ndalimit të burkës në publik si dhe mbylljes së shumë shkollave të besimit islam, në kuadër të sigurisë kombëtare.

Ministri i Sigurisë Publike deklaroi se ka nënshkruar një urdhër kabineti, që tashmë ka nevojë për miratim nga parlamenti.

“Në ditët tona të hershme, gratë dhe vajzat myslimane kurrë nuk kanë veshur burkën. Është shenjë e ekstremizmit fetar që ka lindur së fundmi. Do ta ndalojmë“, u shpreh ministri.

Zyrtarët presin që ndalimi të hyjë në fuqi së shpejti.

Veshja e burkës në kombin me shumicë budiste u ndalua përkohësisht në 2019, pas bombardimeve të kishave dhe hoteleve nga militantët islamistë që vranë më shumë se 250 persona.

Ky vendim është në vazhdimësi të një urdhri të vitit të kaluar që lejonte djegien e trupave të viktimave nga Covid-19 përkundër dëshirave të myslimanëve, që i varrosin të vdekurit.

Ky ndalim u hoq më herët gjatë këtij viti, pas kritikave nga Shtetet e Bashkuara dhe grupet ndërkombëtare të të drejtave.