Presidenti i Republikës, Ilir Meta doli në një konferencë për shtyp pasditen e së shtunës ku iu bëri thirrje edhe njëherë qytetarëve që të dalin masivisht në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Kreu i shtetit i bëri thirrje politikanëve që të zhvillojnë një fushatë të qetë në javën e fundit dhe iu kërkoi shqiptarëve të mos e shesin votën e tyre.

“Atdheu, por dhe bashkëkombësit ndodhen në një moment të rëndësishëm për integrimin. Si president dua të përcjell këto mesazhi si qytetar të Shqipërisë. Kjo javë e fundit duhet të kenë një klimë zgjedhore më të qetë dhe transparente. Politikanë të distancohen nga çdo fenomen që nxit dhunë. Të gjithë qytetarët duhet të dalin në votime dhe të refuzojnë çdo përpjekje. Kush do të blejë votën ka si qëllim t’iu poshtërojë. Jam besimplotë se ju do t’i refuzoni të gjithë ata që duken dhe fshihen pas tyre. Vota është e shenjtë, mos pranoni nënshtrimin për një shpërblesë momentale. Çdo qytetarë duhet të votojë i lirë për atë që mendon se është më i miri. E ardhmja nuk blihet. Asnjë pushtet nuk më i fortë se vota e lirë. Të gjithë me pjesëmarrje duhet të garantojmë që zgjedhjet të jenë të lira dhe kushdo që do të dalë fitues të gëzojë legjitimitetin. Ata që kanë qëndruar indiferentë, në këtë moment nuk mund të qëndrojnë në qetësi. Të verifikojmë karta dhe qendrat. Një thirrje të drejtpërdrejt për policinë të distancohet nga çdo përpjekje e politikës, qëndroni të pavarur”, tha presidenti.

Më tej, kreu i shtetit foli dhe për çështjen e daljes së të dhënave për mbi 910 mijë votuesve të Tiranës. Kreu i shtetit komentoi dhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama duke thënë se patronazhistët janë fuksat e kohëve moderne.

“Prisja dikë në burg sesi të dhënat e shqiptarëve që u shpërndanë. Nuk janë patronazhistë janë fuksat që shqiptarë kanë njohur shumë kohë më parë. Shumë shpejt do të keni prova pse patronazhistët janë fuksa”, përfundoi presidenti.