Doni një “thashethem” që mund të mos jetë 100% i pavërtetë? Merreni vesh!: “Luli është qarë prej kohësh te amerikanët se Berisha nuk e lë të qetë. I ndërhyn. E bezdis…”…      

Këtë e dija prej kohësh, mbase edhe shumë të tjerë, por nuk ma mbante ta thosha. Kisha frikë të dilja e të flisja para se të ngrihej SPAK-u dhe, gjithsesi, s’doja të isha i pari që të merresha e të publikoja ca të vërteta në formë thashethemesh. Sot po. E mora guximin të shprehem për to nga ish Presidenti Bujar Nishani. Doli i pari dhe unë tani jam pas tij.    

Në deklaratën e fundit të këtij të fundit kundër kreut në detyrë të PD Lulëzim Basha te fjalia se: “Ka dhe një thashethemnajë se Basha ankohet para diplomatëve të huaj se ka ndikim nga zoti Berisha.”, shumëkujt mund t’i vrasë veshin fjala “thashethemnajë”(!)…    

Edhe mua ma vret veshin kjo fjalë, ose ma vriste dikur – më mirë të themi, por sot jo. Dhe jo në kuptimin se nuk është mirë të merresh me thashetheme. Kur bie fjala për t’u marrë me ish presidentë si Berisha, Nishani e co, nuk e kam për gjë fare të bie në nivelin e tyre. Kur merren dhe i deklarojnë si thashetheme ata që i kanë mundësitë të mirë informohen, si të mos merrem me to unë që të vetmin burim informacioni kam atë që ata nxjerrin nga goja kur më shfaqen padashur në ekranin e tv?…    

A mund të më thotë dikush një rast kur ka folur publikisht Sali Berisha dhe të mos e ketë nisur fjalën e tij me: “Më tha se i ka thënë...”? A del dot kush të më tregojë një rast të vetëm ku në fjalimet e Sali Berishës të mos  kemi të bëjmë ose me një gënjeshtër, ose me një thashethem të pastër?  

Kujt nuk i ka rënë në sy, se, jo vetëm në postimet e tij në Facebook nga “Qytetari dixhital”, por edhe gjatë ligjërimeve të tij në foltoren e Parlamentit apo para kamerave, Sali Berisha përdor shumë shpesh trajtën foljore: “Më kanë thënë…”?  Kumtuesi Sali Berisha në çdo rast, thashethemin do ta servirë si të vërtetë përpara dëgjuesve, megjithëse ai vetë e ka me të dëgjuar. Gjithmonë e ka me të dëgjuar, se në çdo rast atij ia kanë thënë të tjerë, që edhe atyre të tjerëve ua kanë thënë ca të tjerë.  

Rastin, kur denoncimin atij ia ka thënë drejtpërdrejt një “dëshmitar okular” nuk egziston as tek “Qytetari dixhital”. Pra, Sali Berishës, i takon merita se, me kontributin e tij në dixhitalizimin e thashethemit, pasuroi stilistikën e shqipes. Prej tij dhe askujt tjetër, kemi sot termin e ri që duhet ta studiojë stilistika jonë: “Thashethemi dixhital”. Kjo emërtesë e re linguistike ka në vetvete dy leksema: “Thashethemi” dhe “dixhital”.  

Edhe këto ditë, duke interpretuar thashethemnajën për veten e tij  me “një padi në Francë(!!!) kundër zotit Antony Blinken, Sekretar i Departamentit të Shtetit Amerikan, për të vendosur në vend, siç tha ai, “dinjitetin e cenuar” për vendimin që i ndalon hyrjen në SHBA…”, jo vetëm që nuk kurseu autoritetin e avokatit të njohur z. Jean – Yves Le Borgne, por përfshirjen e tij në këtë vorbull e gjykoi si të vetmen rrugëdaljeje nga e vërteta. Pra, vetëm thashethemnaja dhe tymi që del prej saj ishte zgjedhja e Sali Berishës. Si gjithmonë, edhe këtë herë, po të kesh durim ta ndjekësh, do dëgjosh nga goja e tij për “konspiracionistë, soristë, komplotistë,… Që i bien në qafë atdhetarit Sali Berisha”…  

Sali Berisha jo vetëm që e ngriti në sistem, por e “institucionalizoi” tek të vetët thashethemin.  

Tek thashethemexhiu Sali Berisha e ka shkakun që edhe Bujar Nishani është familjarizuar aq shumë sa, në ligjërimin e tij publik të fundit, e lëshon pa pikë droje, si lopa bajgën, atë fjalë(!), për të cilën, Fjalori i shqipes jep këtë shpjegim: “THASHETHEME – Fjalë të pathemelta, zakonisht të këqija, për dikë a për diçka, që pëshpëriten e përhapen nga njerëz llafazanë e shpirtvegjël, të cilët marrin nëpër gojë të tjerët për t’i njollosur dhe nuk e kanë ndjenjën e përgjegjësisë.” Dhe po aty: “THASHETHEMEXHI – Ai që merret me thashetheme, njeri i thashethemeve. Thashethemexhinjtë fshihen si minjtë.”   

Sot, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD, ish Presidenti Bujar Nishani deklaroi se kreu i PD-së Lulzim Basha ka qenë në dijeni të vendimit të DASH për shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas Nishanit, kjo ka qenë edhe arsyeja e afrimit të datës së zgjedhjeve për kreun e PD-së. Nishani tha se: Berisha ka ndikim te aiështë tezë manipulative, që t’i ikë përgjegjësisë. Zoti Basha është njohur me këtë tezë dhe është rrahur shpesh me këtë gjë. Asnjë herë zoti Basha s’ka dalë publikisht dhe të demontojë këtë gjë dhe të thotë: “Zoti Berisha s’ka asnjë ndikim tek unë.”.  

Pastaj, Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, ish Presidenti Bujar Nishani  lëshoi edhe fjalinë nga e cila mora shtysë të shkruaj këto radhë: “Ka dhe një thashethemnajë se Basha ankohet para diplomatëve të huaj se ka ndikim nga zoti Berisha.”…  

Më pas, duke u ndalur tek vendimi për shpalljen non-grata për Berishën, Nishani tha: “Unë jam shprehur qartë kur më është kërkuar mendim. Kjo është një çështje që zoti Berisha e ka adresuar diskursin drejt zgjidhjes gjyqësore. E ka bërë zgjedhjen e tij. Me rëndësi në këtë çështje janë dy gjëra. Në këtë histori personale me Berishën unë mund të dëshmojë në çdo kohë, se unë kam ndeshur njeriun e ndershëm institucional dhe skam ndeshur kurrë një minimum të korrupsionit. Kjo çështje është një çështje që s’do t’i cenojë kurrë marrëdhëniet SHBA-Shqipërinë. S’kam droje fare. Skam asnjë ndonjë informacion apo indicie. Unë kam kuptuar se zoti Basha ka qenë në dijeni të informacionit, pasi jo pa qëllim afroi jo në mënyrë të pritur datën e zgjedhjeve brenda partisë. Kjo çështje ka krijuar një shok brenda PD. Se mohojmë dot. Pasi Berisha është themelues i PD dhe për të ka ndjeshmëri.”.  

Tek fjalia: “Kjo është një çështje që zoti Berisha e ka adresuar diskursin drejt zgjidhjes gjyqësore.” merret vesh tamam se tymnaja e thashethemit të Sali Berishës e ka bërë të plotë efektin te Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, ish Presidenti Bujar Nishani!

Pastaj, vjen menjëherë reagimi i kreu të PD-së Lulzim Basha, i cili, si gënjeshtar organik, duke të bërë për të qarë e për të qeshur, deklaratës së Bujar Nishanit i përgjigjet duke mohuar se kishte dijeni për vendimin e DASH për Berishën. Lexojeni si gënjen!  

E kam nisur fushatën për zgjedhjet brenda partisë me bindjen se nga kjo garë duhet të dalim me të fortë dhe më të bashkuar. Kam refuzuar reagimet që nxisin përçarje edhe pse çdo ditë ndaj meje janë hedhur sulme personale dhe politike të pavërteta dhe të padrejta. Por çdo gjë e ka një limit. Ndaj sot hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët të Bujar Nishanit. Inati e mllefi personal e ka një limit.  

Por sot ai limit është kaluar, sepse lidhet me një çështje që ka prekur thellë jo një individ, jo Sali Berishën por gjithë partinë tonë. Këto shpifje të ulëta i shërbejnë vetëm atyre që bëjnë gjithçka të përçajnë Partinë Demokratike. Dhe unë këtë nuk do ta lejoj”…  

Në këtë rast, për vete jam i prirur të mos besoj aspak as Lulzim Bashën, as thashethemet kur serviren si të vërteta, siç bën Berisha…  

Por mendoj se problemi nuk qëndron vetëm në atë nëse duhet besuar apo jo një thashethem. Le të themi ç’të duam ne, njerëz të prirur për t’i përfillur si 100% të vërteta ato ka pasur e do të ketë gjithmonë. Sidomos kur dalin, siç dolën sot, publikisht dhe u parashtruan si thashethem nga goja e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD, ish Presidentit Bujar Nishani!…   

***  

Meqë jemi këtu tek kjo temë dhe, meqenëse nuk kam mundësi të provoj të kundërtën e shumë prej thashethemeve që qarkullojnë për këtë çështje, si edhe meqë z. Nishani nuk e paska për gjë të merret me to, do t’i lutesha atij të më shuante kureshtjen e këtyre tre pyetjeve:    

  • Vërtet mendoni se ju dhe (së paku) dy të tjerë nga ju të pestë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve për Zgjedhjet e 25 Prillit (Bujar Nishani, Besnik Mustafaj, Genc Ruli, Enriketa Papa, Mark Marku) nuk ishit të pajisur me një listë të personave “non grata” nga amerikanët?    
  • A nuk ishte vetë Lulzim Basha që (të paktën ty z. Nishani) ta përcolli dorazi këtë listë?   
  • Po për ata persona me pritshmëri për të kandiduar që Komisioni juaj la jashtë listave, vërtetë, ato “arsye” që u dëgjuan në publik ishin?

I nderuar Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD, z. Bujar Nishani!   

Mos u lodh fare të më përgjigjesh, por po më dëgjuat mua, lëreni Lulin të qajë! Po deshe, qaj edhe ti bashkë me të! Do të qaja edhe unë bashkë me ju, por tani nuk jeni duke qarë partinë e idealeve të Dhjetorit ’91 se ajo ka vdekur me kohë. Nuk është thashethem: Sot po qani partinë e Sali Berishës dhe ju siguroj: Pavarësisht thashethemeve, kriminelët nuk më mallëngjejnë. Përkundrazi…   

   

Ilir Mborja